Një 28-vjeçar ka inskenuar rrëmbimin e tij me qëllim përfitimin e një shume parash nga babai. Në pranga ka përfunduar Lubjan Camema, 28 vjeç, si dhe bashkëpunëtori i tij, Bernard Kiptiu, 45 vjeç, nga Durrësi.

Sipas Policisë, Camema i ka thënë babait se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Bashkëpunëtori i tij, Kiptiu, u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, pikërisht në momentin që i kërkonte babait të 28-vjeçarit shumën e parave për lirimin e të “rrëmbyerit”.

Vetë Lubjan Camema u gjet rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes dhe u arrestua menjëherë nga Policia. Gjatë hetimeve rezultoi se ai kishte marrë automjetin e babait dy ditë më parë dhe dyshohet se e ka shitur.

Të dy të arrestuarit do të përballen me akuzën për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

“Mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para, vihet në pranga 28-vjeçari. Arrestohet edhe bashkëpunëtori i tij, i cili do të merrte shumën e kërkuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, duke i kërkuar shtetasit B. C. shumën e parave, me pretendimin se do të shërbenin për lirimin e djalit të tij. Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprime të mëtejshme.