Frikë nga celulari në Ministrinë e Jashtme gjermane!

Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (CDU), po përpiqet të mbrohet nga përpjekjet për përgjim në zyrën e tij duke përdorur një kuti të thjeshtë druri me teknologji të brendshme, ku ruan iPhone-in e tij privat.

“Kam një kuti të vogël këtu. Të gjithë kemi një celular sot,” thotë Wadephul në një bisedë me TikToker-in David Matei, i njohur në rrjet si SicherheitsPolitik.

Wadephul shpjegon: “Fatkeqësisht, duhet të supozoj se dikush po përpiqet vazhdimisht të më përgjojë telefonin”.

Prandaj, në shumicën e mbledhjeve, ai e vendos telefonin në kuti: “Kështu mund të flas për gjëra që askush nuk i dëgjon”.

Kutia duket e padëmshme, por ka “një funksion të jashtëzakonshëm”.

“Thjesht nuk jemi të vetëdijshëm për këtë: në shumë situata, një celular mund të përgjohet. Gjithmonë ka veshë të tjerë që dëgjojnë,” thotë ministri.

Është e qartë: Shërbimi sekret rus i Putinit, Kina dhe fuqi të tjera përpiqen të përgjojnë informacion konfidencial. Edhe shërbimi sekret amerikan, NSA, u bë lajm në vitin 2013 pasi kishte përgjuar telefonin e ish-kancelares Angela Merkel.

Kutia e Wadephul-it është e ashtuquajtura “Noisebox” (kushton rreth 2000 euro në varësi të modelit, ka lidhje për karikimin e celularit dhe një burim të brendshëm zhurme).

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme i tha gazetës BILD: “Gjermania është në shënjestër të shërbimeve të huaja sekrete nga shumë drejtime. Mundësitë teknike për të përgjuar informacione të ndjeshme janë rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dekadave të fundit. Ministria e Jashtme i merr shumë seriozisht kërcënimet ndaj sigurisë së informacionit dhe punonjësve të saj”.

Ajo shtoi se po merren “masa të ndryshme” për të mbrojtur kolegët. Për vetë kutinë, zëdhënësja nuk dha detaje: “Për arsye sigurie dhe ruajtjeje të sekretit, nuk mund të japim informacione të mëtejshme”. (BILD)