Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, po zhvillon këtë të mërkurë një seancë publike ku pritet të miratohet shpërndarja e mandateve të deputetëve për fituesit në zgjedhjet e përgjithshme në Qarkun e Tiranës. Një nga çështjet më të debatueshme të kësaj procedure mbetet mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili ka shkaktuar përplasje të forta brenda këtij grupimi.
Në sallën e mbledhjeve të KQZ-së ka mbërritur Kleana Xhuveli, e katërta në listën e mbyllur të koalicionit. Ajo pritet të marrë mandatin në rast se Komisioneri Celibashi nuk merr parasysh dorëheqjet paraprake të kandidatëve të tjerë të listës së mbyllur. Xhuveli është kushërira e parë e kandidatit Adriatik Lapaj, i cili është shpallur fituesi me më shumë vota preferenciale në listën e hapur.
Bashkë me Xhuvelin në KQZ ndodhet edhe Dorina Prethi, përfaqësuese ligjore e “Nisma Shqipëria Bëhet”. Sipas marrëveshjes së arritur më herët mes dy partive që përbëjnë këtë koalicion, kandidatët e listës së mbyllur kishin firmosur paraprakisht dorëheqje nga mandati, për të hapur rrugën kandidatëve të listës së hapur. Në këtë rast, mandati do t’i takonte Adriatik Lapajt.
Megjithatë, situata është komplikuar pasi Zeqir Kordhoni, i afërmi i drejtuesit tjetër të koalicionit Endri Shabani, ka paraqitur kërkesë për të marrë mandatin. Shabani dhe Kordhoni pretendojnë se kjo vjen si pasojë e një premtimi të pambajtur të Lapajt, i cili sipas tyre kishte deklaruar më herët se do të heqë dorë nga mandati nëse koalicioni do të siguronte vetëm një vend në Kuvend.