Edhe në përpjekjen e fundit – që erdhi rreth tetë orë pas asaj parapake – deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në tentimin për ta konstituuar Kuvendin.

Tani, pasi është mbyllur afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e konfirmoi se ai gjatë ditës ka zhvilluar një takim, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, ai tha se gjatë këtij takimi nuk pati asnjë diskutim përtej asaj që është thënë në publik më parë dhe se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Dhe, epilogu i seancës së 54-t konstituive ishte i njëjtë si i atyre paraprake: kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV-ja, u kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ta propozojnë nga një kandidat për të themeluar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Këto parti nuk dhanë propozime dhe nuk pati kuorum për formimin e këtij komisioni, duke dështuar kështu konsituimi i Kuvendit.

Lëvizjes Vetëendosje do t’i kishin mjaftuar votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrateve dhe deputetëve të minoriteve, përveç atyre të Listës Serbe, për t’i siguruar 61 votat e nevojshme.

Pak para seancës, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha përmes një postimi në Facebook se atyre “u duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’”.

Tani, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga fillimi më 15 prill e deri të premten, Kuvendi është mbledhur në 52 përpjekje për ta zgjedhur kryetarin, pa arritur shumicën prej së paku 61 votave.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.

Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.

Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.

Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja.

Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive./REL/