Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë ngritur një padi për shpifje ndaj komentatores së djathtë amerikane, Candace Owens, duke e akuzuar për një “fushatë të qëllimshme shpifjesh” ndaj tyre që synon të rrisë popullaritetin dhe përfitimet financiare të saj, përcjell Guardian.
Padia, e depozituar të mërkurën në shtetin amerikan të Delaware, përfshin si Owens-in, ashtu edhe bizneset e saj. Sipas dokumenteve ligjore, ajo ka përhapur vazhdimisht pretendime të pabaza dhe “absurde”, duke filluar që në fillim të vitit 2024, kur deklaroi publikisht se do të vinte “në rrezik gjithë reputacionin profesional” mbi idenë se Brigitte Macron është në fakt burrë.
Në vend që të tërhiqej pas kërkesave për përgënjeshtrim, Owens publikoi një seri me tetë pjesë me titull Becoming Brigitte, ku sipas padisë, shtoi edhe më shumë pretendime, duke përfshirë teori të pabesueshme si identitet i vjedhur, incest me Presidentin Macron dhe përfshirje në programe të kontrollit mendor si MKUltra.
Macronët deklaruan se i dhanë Owens-it disa mundësi për të tërhequr deklaratat, duke i paraqitur edhe prova që i rrëzonin ato, por ajo zgjodhi t’i injorojë dhe të intensifikojë sulmet. “Kemi mbetur me vetëm një zgjidhje: t’ia lëmë çështjen drejtësisë,” thuhet në deklaratën e çiftit.
Sipas padisë, pasojat kanë qenë të rënda: një “fushatë globale poshtërimi” që ka cenuar rëndë privatësinë, dinjitetin dhe reputacionin e tyre. Ata pretendojnë gjithashtu se kanë shpenzuar shuma të mëdha për këshillim ligjor dhe për të korrigjuar publikisht të pavërtetat.
Macronët janë të gatshëm të paraqiten personalisht në një gjyq në Delaware. Ata përfaqësohen nga firma e njohur ligjore Clare Locke, e cila ka fituar më parë procese të rëndësishme për shpifje, si rasti Dominion vs. Fox News. Owens nuk ka reaguar ende publikisht mbi padinë.