Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vlerësoi rolin kyç të SPAK si një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi, gjatë tryezës së diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”.

Manja theksoi se SPAK është ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale. Por sipas tij, pavarësia nuk duhet parë si qëllim në vetvete, por duhet të ecë paralelisht me llogaridhënien.

“Fuqia që u jepet institucioneve të drejtësisë duhet të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit, jo të kthehet në vetë-referencë,” tha ministri.

Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar rolin mbështetës të Ministrisë së Drejtësisë për të garantuar një sistem të balancuar dhe funksional. Sipas Manjës, mbështetja e ekzekutivit ndaj SPAK përfshin sigurinë e prokurorëve, planifikimin financiar dhe orientimin strategjik, pa cenuar pavarësinë e institucionit.

“Roli i ekzekutivit ndaj SPAK është i konceptuar si ndërveprim institucional, pa ndërhyrje në vendimmarrje, duke respektuar ndarjen e pushteteve,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, ministri theksoi se drejtësia duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por edhe transparente dhe e përgjegjshme ndaj publikut, duke e cilësuar llogaridhënien si pjesë të legjitimitetit të sistemit.