Në një artikull të fundit të publikuar nga BIRN, është ngritur pretendimi se Kryeministri Edi Rama ka dhënë një “ultimatum politik” për shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative dhe drejtorëve vendorë, duke e paraqitur këtë si ndërhyrje në kompetencat e pushtetit lokal dhe si shkelje të ndarjes së pushteteve. Ky interpretim jo vetëm që është jashtë kontekstit të deklaratës, por bie ndesh me faktet dhe me vetë përmbajtjen e fjalës së Kryeministrit.
Kryeministri nuk kërkoi “shkarkime masive”, por rishikim performance dhe garë të hapur
Në thelb, qëndrimi i Kryeministrit ka qenë politik dhe orientues, dhe jo një akt administrativ apo detyrim ligjor për shkarkim. Ai ka folur për nevojën që drejtuesit vendorë kryesisht ata të emëruar nga vetë mazhoranca të kalojnë përmes një procesi rivlerësimi, ku të matet puna, angazhimi dhe ndikimi i tyre në terren.
Për më tepër, vetë deklarata e Kryeministrit përjashton interpretimin se ka një vendim për pushim kolektiv, ai përmendi si shembull pozitiv pikërisht kryetarin e Njësisë Administrative të Novoselës, duke e vlerësuar për përkushtimin dhe rezultatet e arritura. Kjo do të thotë se nuk ka qëllim për të larguar të gjithë, por për të ndarë performancën reale nga emërimet formale.
Pra, vetë përmendja e një rasti suksesi nga radhët e atyre që teorikisht do “shkarkoheshin”, është një argument i qartë se qëndrimi i Kryeministrit nuk ishte absolut dhe nuk përfshin vendime kolektive, por kritere për vlerësim individual.
Nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në pushtetin vendor, por me ushtrim të të drejtës për koordinim politik dhe institucional
Neni 4 dhe 7 i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i jep të drejtë qeverisë qendrore të bashkëpunojë, të koordinojë dhe të vendosë standarde minimale të shërbimeve që qytetarët duhet të marrin nga pushteti vendor. Nëse struktura të caktuara dështojnë në këtë mision, është detyrë e pushtetit qendror të reagojë jo për të marrë kompetenca, por për të ngritur përgjegjshmërinë.
Ndaj, deklaratat e Kryeministrit nuk janë “shkelje të ndarjes së pushteteve”, siç pretendohet, por pjesë e të drejtës dhe përgjegjësisë politike për të garantuar që çdo segment i qeverisjes, qoftë ai lokal apo qendror, të funksionojë në interes të qytetarëve.
Nuk mund të ketë autonomi pa përgjegjësi dhe performancë
Argumenti për autonominë vendore nuk mund të përdoret si mburojë për papërgjegjshmëri apo keqmenaxhim, sidomos kur ka evidenca të përsëritura për shërbime të dobëta, mungesë transparence apo strukturë të fryrë administrative. Autonomia është e garantuar me Kushtetutë, por ajo nuk e përjashton llogaridhënien politike dhe publike, as nga qytetarët, as nga partitë që kanë kandiduar dhe përzgjedhur drejtues lokalë.
Në këtë logjikë, thirrja për garë të hapur dhe për rivlerësim është një hap në drejtimin e duhur dhe jo një tentativë për “kapje të pushtetit vendor”, siç e paraqet në mënyrë të pasaktë artikulli i BIRN.
Në artikull theksohet se Shoqata Kombëtare e Bashkive nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit. Kjo është një pritshmëri e gabuar dhe një kërkesë jolegjitime, pasi kjo shoqatë nuk ka mandat për të lëshuar deklarata politike. Ajo është një platformë bashkëpunimi teknik dhe mbështetje për pushtetin vendor dhe nuk funksionon si zëdhënëse e pakënaqësive politike të një grupi të caktuar.
Debati për menaxhimin e ujësjellësve nuk është centralizim, por rishikim modeli për performancë më të mirë
Një tjetër element i cituar në mënyrë tendencioze është ai i menaxhimit të ndërmarrjeve të ujësjellësve. Diskutimi i ngritur nga Kryeministri nuk ka të bëjë me shuarje të kompetencave të bashkive, por me ristrukturimin teknik të një sektori problematik, i cili në shumë bashki është kthyer në burim keqmenaxhimi, borxhesh të pambledhura dhe shërbimi joefikas.
Në vende si Italia, Kroacia, apo Portugalia, janë aplikuar modele të përqendruara të menaxhimit të ujit, për të siguruar investime më të qëndrueshme dhe cilësi më të lartë shërbimi. Shqipëria nuk është përjashtim as nuk ka kapacitete të barabarta në çdo bashki për të menaxhuar këtë sektor jetik.
Performanca është kriteri i vetëm legjitim për drejtuesit vendorë
Deklaratat e Kryeministrit nuk përbëjnë urdhra për pushime masive, por një qartësim politik dhe institucional që performanca duhet të jetë kriteri bazë për çdo drejtues vendor sidomos për ata që kanë ardhur në detyrë përmes mbështetjes së një partie politike dhe që kanë përgjegjësi politike e publike për mënyrën si e ushtrojnë mandatin.
Vetë përjashtimi publik i rastit të Novoselës si shembull pozitiv, tregon qartë se nuk ka vend për interpretime të qëllimshme që e paraqesin këtë proces si “spastrime politike” apo “shkelje të autonomisë”. Përkundrazi, është një kërkesë legjitime për rritje të llogaridhënies në të gjitha nivelet e pushtetit.
Shqipëria ka nevojë për një administratë vendore që funksionon, jo për alibi ligjore për paaftësi./Lexo.al
Punoi Hermes Kafexhiu