Në një deklaratë të detajuar, Çela ka vënë theksin tek mungesa e një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi dhe reflektimi shoqëror përpara se të hidhej në tryezë një dokument me rëndësi kaq të madhe ligjore.

“Para se të diskutohej mbi draftin e prezantuar, do të kishte qenë e nevojshme që ky diskutim të ishte paraprirë nga një reflektim mbarëshoqëror mbi nevojën e pasjes së një kodi të ri”-thotë Çela në deklaratën e tij.

Ai vë në dukje se ndryshimi i një ligji kaq themelor, që prek drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari, duhet të vijë si rezultat i një domosdoshmërie historike dhe jo si një vendim i papjekur institucional.

“Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor… në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxitua.”-thotë Prokuori i Përgjithshëm.

Çela vë theksin tek përmbajtja dhe ndërtimi teknik i draftit, duke theksuar se produkti i propozuar “sjell konfuzion” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit nga gjyqtarët dhe prokurorët.

“Ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme.”-thuhet në reagim.

Një tjetër problem i identifikuar nga Prokurori është tendenca që drafti ka për të përfshirë të gjitha interpretimet e mundshme brenda dispozitave ligjore, duke kufizuar fleksibilitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në rastet konkrete.

“Tendenca për të paravendosur në dispozita çdo interpretim të mundshëm… përkeqëson cilësinë e zbatimit të saj dhe bllokon zgjidhjen e problemeve.”-thotë Çela.

Çela shpreh shqetësim të thellë për frymën e përgjithshme të draftit, të cilën e konsideron si tepër represive.

Sipas tij, drafti përpiqet të zgjerojë në mënyrë të pajustifikuar rrethin e veprimeve që trajtohen si krime dhe dënohen me burg.

“Fryma e përgjithshme në draft tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri.”-tha ai.

Sipas Çelës, një nga rreziqet më të mëdha është mundësia që sjellje të caktuara të jenë të ndëshkueshme përgjatë gjithë jetës së individit, gjë që bie ndesh me parimin e sigurisë juridike dhe humanizmit.

Prokurori i Përgjithshëm kundërshton idenë se një Kod më i ashpër sjell më shumë drejtësi.

“Nuk mendoj se ashpërsimi i dënimeve me burgim është zgjidhja e vetme dhe më e mirë.”-vijon Çela në deklaratën e tij.

Ai shton se çdo ndryshim në Kodin Penal duhet të ecë paralelisht me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, për të mos krijuar një shkëputje që do të sillte pasoja të rënda në praktikë.

Çela shkruan për pasojat që një reformë e tillë do të sillte në një sistem drejtësie që, sipas tij, është tashmë i mbingarkuar dhe me mungesa serioze në burime njerëzore.

“Ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë… nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore.” –thotë Çela.

Në fund të deklaratës, Prokurori i Përgjithshëm thekson se më urgjente sesa hartimi i një Kodi të ri Penal, është ndërhyrja në Kodin e Procedurës Penale, për të adresuar burokracitë dhe vonesat që po pengojnë funksionimin e drejtësisë.

“Sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme.”- përfundon Çela reagimin e tij.

Kujtojmë se Çela mungoi në prezantimin e draftit disa ditë më parë si një sinjal kundërshtimi.