Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për heqjen e disa pjesëve të aktakuzës ndaj tyre, që lidhen me pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, sqaroi se kërkesa e mbrojtjes nuk kishte bazë ligjore dhe se trupi gjykues nuk kishte autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzës.

“Trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes, sipas rregullës 130, në tërësinë e vet.” -deklaroi Smith.

Ai shtoi më tej se edhe nëse kundërshtimet e mbrojtjes do të konsideroheshin të suksesshme, ato nuk do të çonin në rrëzimin e asnjë prej pikave të aktakuzës.

“Edhe në qoftë se do të konsideronte në themel dhe në qoftë se këto kundërshtime të mbrojtjes do të konsideroheshin të suksesshme, mocioni i mbrojtjes nuk do të çonte në rrëzimin e asnjë prej pikave të aktakuzës. Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzave.” -përfundoi gjykatësi.

Vendimi për mocionin konsiderohej si një pikë kyçe që mund të ndikonte në rrjedhën e mëtejshme të këtij procesi gjyqësor.

Seanca aktualisht po zhvillohet e mbyllur për publikun, përkohësisht, ndërsa trajtohen çështje të tjera procedurale.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po marrin pjesë fizikisht në këtë seancë. Ata kishin afat deri më 12 qershor për të dorëzuar mocionin për rrëzimin e akuzave, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kohë për t’u përgjigjur deri më 7 korrik.