Një qytetare nga Durrësi ka denoncuar një situatë shqetësuese në hyrje të qytetit, ku një lokal sipas saj ka pushtuar një hapësirë të konsiderueshme publike, duke penguar qytetarët të ecin apo të shfrytëzojnë rrugën e përbashkët. Ajo shprehet se situata është bërë e padurueshme, ndërsa institucionet lokale heshtin.

“Në hyrje të Durrësit është një lokal që ka zënë gjithë vendin, nuk kalon dot, ka vënë tavolina dhe karrige sikur është e tyrja. Kemi bërë ankesa, por policia bashkiake nuk reagon fare!” – denoncon ajo.

E revoltuar nga mosveprimi i autoriteteve lokale, qytetarja thekson se edhe pse nuk është mbështetëse e qeverisë Rama, për këtë nismë konkrete për lirimin e hapësirave publike, i jep të drejtë kryeministrit.

“Nuk jam me Edi Ramën, nuk jam dakord me shumë gjëra që bën, por për këtë nismë për t’u kthyer qytetarëve hapësirat publike, e përgëzoj. Lokalet na kanë zënë rrugët dhe institucionet bëjnë sikur nuk shohin!” – shkruan ajo.

Ky denoncim vjen në një kohë kur qeveria ka paralajmëruar një aksion kombëtar për lirimin e hapësirave publike, por duket se në shumë qytete, përfshirë Durrësin, situata mbetet e pandryshuar dhe e pandëshkuar.

Lexo.al fton qytetarët të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, për të ushtruar presion publik ndaj institucioneve dhe për të kërkuar kthimin e hapësirave publike te qytetarët.