Zjarrfikësit po luftojnë me flakët pranë Athinës dhe në disa rajone të tjera të Greqisë këtë të shtunë, ndërsa vendi mesdhetar po përballet me valën e tretë të të nxehtit për këtë verë. Disa fshatra dhe zona të banuara janë evakuuar për shkak të rrezikut në rritje nga zjarret.
Në fshatin Drosopigi, rreth 25 kilometra në veri të Athinës, janë dëgjuar shpërthime teksa re të mëdha tymi kanë mbuluar zonën. Në këtë fshat ndodhen edhe fabrika me materiale të ndezshme. Dy helikopterë janë angazhuar për të hedhur ujë nga ajri, ndërsa 65 zjarrfikës me 26 automjete dhe dy avionë po përpiqen të vendosin nën kontroll flakët.
Sipas mediave vendase dy banesa janë përfshirë nga zjarri, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar banorëve të fshatit Krioneri të zhvendosen drejt Athinës për siguri.
Në ishullin Evia, janë dislokuar 115 zjarrfikës me 24 automjete për të përballuar flakët, të mbështetur nga gjashtë avionë dhe shtatë helikopterë. Por erërat e forta po e vështirësojnë ndjeshëm operacionin. Banorëve të zonës Triada në Evia u është kërkuar të jenë gati për evakuim në rast emergjence.
Zjarri në Evia është një nga seritë e zjarreve që kanë shpërthyer gjatë këtij muaji për shkak të erërave të fuqishme dhe thatësirës ekstreme.
Edhe në ishullin Kythira, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e fshatrave Aroniadika, Pitsinades dhe Aryoi. Në rajonin e Messinisë, në perëndim të Athinës, është dhënë gjithashtu urdhër evakuimi për banorët e Kryonerit dhe Sellasit.
Të gjitha këto zona ishin të përfshira në listën e rajoneve të Greqisë në alarm të lartë për zjarre, për shkak të temperaturave rekord dhe erërave të forta të parashikuara për këtë fundjavë.