Nuk ka nevojë të tregojë se cili është. Jasir Asani njihet mirë në kontinentin më të madh të botës për heroizmat e tij me skuadrën koreanojugore, Kuangju, dhe trajneri I ekipit të tij të ri, Esteglal, ka vendosur ta përfshijë menjëherë në skuadër.

Siç njoftojnë mediat në Iran, tekniku portugez Sa Pinto, do ta ketë shqiptarin në listën prej 18 lojtarësh për ndeshjen e kësaj të marte ndaj rivalit Zob Ahan në Ligën Profesioniste iraniane të futbollit.

Bashkë me të, në listë do të jetë edhe lojtari tjetër I prezantuar të shtunën, Musa Genpo, ndonëse mes të dyve ekziston një dallim.
Pas seancës së parë stërvitore, Sa Pinto kuptoi se Asani e Genpo janë në formën e duhur, veçse vetëm për yllin kuqezi ai duket se ka vendosur që ta ketë titullar. Asani u bashkua me skuadrën më të njohur të Iranit dhe nënshkroi një kontratë dyvjeçare. Besohet se për të u paguan 1 milionë euro, padyshim më pak sesa vlera reale e kartonit, dhe kjo sepse kontrata e tij në Kuangju përfundonte në dhjetor të këtij viti.

Lojtari I kombëtares shqiptare shpreson që të ketë sukses në një skuadër me kaq shumë emër, që ka fituar 9 tituj kampion, dy Champions të Azisë dhe që fitoi pak ditë më parë Kupën e Iranit.
Asani shkëlqeu fort në Korenë e Jugut, duke shënuar 9 gola në 10 ndeshje në Championsin e Azisë këtë sezon, duke qenë Këpucë e Argjendit e duke arritur çerekfinalen, ndërsa në ligën koreanojugore këtë edicion pati 8 gola e 2 asistë në 22 ndeshje.