Nga Dritan Hila
Fitore e Putin, poshtërim i Trump, tradhëti ndaj Ukrainës, janë boshti i shkrimeve të mainstrimit perëndimor lidhur me takimin e Alaskës.
Në fakt ta shikosh me këtë sy, është tipike e një kontinenti që dikur ka qenë fuqi koloniale dhe ndante botën, kurse tani ka përmasat reale të tij: Një gadishull mesatar i kontinentit Euroaziatik pa zë në rindarjen që po i bëhet botës.
Urgjenca e takimit të Trampit me Putinin, nuk ka asfare lidhje me situatën në Ukrainë. Ukraina ka qenë një nga pikat dhe jo më e rëndësishmja. Vetë ardhja e Trampit në pushtet ka lidhje me urgjencën që aparatet amerikane shikonin për një korrigjim të vektorit pa krye ku e kishte futur vendin Biden. Rusia, një aset i madh territorial dhe lëndësh të para po shtyhej në krahët e Kinës dhe intrasigjenca e Biden, për faj edhe të gjendjes së tij demenciale, por edhe të fajkojve në aparatet amerikane, po e bënte boshtin ruso-kinez një faktor kërcënues për shekullin e 21.
Mendjet më të kthjellëta, kërkonin një rialokim të kursit, dhe Trampi e shfaqi këtë tendencë që në fushatë.
Mirëpo këta gjashtë muaj, nuk kishin mjaftuar që Putinit dhe enturazhit të tij, t’i rikthehej besimi ndaj një perëndimi i cili e kishte zhgënjyer disa herë. Aq më shumë prania në politikën e BE-së e fajkojve të frustruar që përfaqësojnë vende pa peshë ekonomike apo ushtarake por me gjuhë ekstremiste, po bënte të pamundur frenimin e rrëshqitjes së Rusisë në krahët e Kinës. Ndaj edhe duhej një sinjal i fortë dhe ky ishte takimi i Alaskës.
Vetë pritja e ngrohtë e Trampit, ceremoniali perandorak, dalja përtej protokollit gjatë transmetimit publik të takimit, tregonin një kthesë të politikës së SHBA-së ndaj fqinjit të tyre. Aparatet amerikane nuk mund ta lënë Rusinë të rrëshqasë në vasalitetin e Kinës, pasi kjo do ta bënte me shumë të panjohura të ardhmen e globit. Ndaj edhe nuk e vranë shumë mendjen se çfarë thoshin aleatët e tyre evropianë që ende mendojnë me mentalitetin e shekullit të 19-të dhe besojnë se bota sillet rreth tyre.
A ishte ky një takim për Ukrainën?
Siç edhe u tha në një fragment të deklaratave, u bisedua për shumë më tepër, për Arktikun, një sistem të ri botëror e shumë të tjera që nuk iu thanë publikut. Sa i takon Ukrainës, me siguri është lënë në një gjendje standby. Ukrainasit nuk janë larg kolapsit dhe kjo do t’i bëjë më të dëgjueshëm ndaj kërkesave të fuqive të mëdha. Asgjë e re kjo që po ndodh dhe që po skandalizoka evropianët. Janë këta që në emrin e Sykes dhe Pikot, e kanë ndarë Lindjen e Mesme me viza të drejta duke nakatosur kombe, tribu dhe rraca, burim sherrësh për dy shekuj dhe për shekujt që do të vijnë. Janë këto fuqi evropiane që i kanë bërë lëmsh kufijtë e tyre dhe atyre më të dobtëve, duke i copëtuar kombet apo bashkuar të ndryshmit. Shqipëria është një shembull sesi të trajtojnë të mëdhenjtë. Ndaj nuk ka asgjë të re që Ukraina mund të copërohet apo riformohet. Jo rrallë copa territoresh janë dhënë për qoka ndaj më të fuqishmëve. Rishtas Shqipëria është shembull për këtë.
Në takimin e Alaskës, Trampi nuk bëri asgjë më shumë sesa iu rikthye realpolitikës. Rusia është superfuqia ushtarake e Evropës dhe ai do bëjë marrëveshje me të fortët. Kjo sa i takon Ukrainës. Gjithashtu Rusia ka një shtrirje të jashtëzakonshme territoriale dhe zotëron resurse lëndësh të para si asnjë vend tjetër, ndaj edhe Trampi do ta mbajë afër. Rusët janë një popull imperial dhe si të tillë kërkojnë trajtim ekuivalent. Trampi ia u dha këtë duke pritur Carin e Kremlinit me nderet që i takojnë. Tashmë mund të shpresohet nga aparatet amerikane që klima e mosbesimit ka filluar të ndryshojë te rusët. Sa për Ukrainën, u pa që fati i saj është ende në teh të thikës. Do ta mendoj dy-tre javë a do vendos sanksione të reja ndaj Rusisë, tha Trampi. Por këtë nuk do ta bëjë për hatër të luftës, por për ato që nuk iu thanë publikut./dritare.net