Kryeministri Edi Rama, duke komentuar ndërtimet pa leje, tha se shteti ka përgjegjësitë e veta por nuk mund të amnistohen shkelësit e ligjit.

“Kthimi në gjendjen e mëparshme po realizohet, pasi pjesa dërrmuese e ndërhyrjes bëhet në objekte të çmontueshme. Aty ku ka llaç e tulla e beton do të duhet më shumë punë, por nuk ka aq shumë, kështu që do të ecim me shpejtësi. Kjo është vetëm faza e para e një programi të ri të Rilindjes Urbane 2.0. Do të krijojmë cilësi, do të kërkojë kohë, por do të rikthejmë hapësira publike cilësore. Edhe njësive të shërvbimit do t’u japim mundësinë që të rikthehen cilësisht brenda vilës ku do të kenë kufirin. Do t’u japim detyrime përkundër të cilave do të kenë disa të drejta. Shteti ka përgjegjësitë e veta, ne jemi një shtet ndërtim dhe do të jemi një shtet i ndërtuar kur të hyjmë në BE. Për asnjë rast përgjegjësia e shtetit amniston shkelësit e ligjit. Nuk mund të thuash që “po hedh beton dhe po s’më kapet s’ke çfarë më bën”, tha Rama.

Një ndjekësi që shkruante se ndërtuesit pa leje duhet të jenë në burg, Rama tha se këtë e bën drejtësia.

“Ndër të gjitha pjesët e shumta, nuk hyn përgjegjësia për të futur në burg njerëz. Këtë e bën drejtësia, e cila funksionon me fakte e prova. Lavdi zotit nuk kemi më drejtësinë që e bënte qeveria e i pari i shtetit. ‘Merri e futi në burg’ është një shprehje që nuk duhet ta përdorësh se është jashtë kontekstit të mënyrës se si funksionon rendi demokratik. Por kur ka fakte e prova, gjithsekush do të ballafaqohet me drejtësinë.”, u shpreh Rama.