Nga Mero Baze/

Albin Kurti mund t’ia kishte ulur rëndësinë politike protestës së sotme madhështore në Prishtinë në mbështetje të udhëheqësve të UÇK që po gjykohen në Hagë. Mund t’ia kishte ulur rëndësinë dhe të bëhej lider i asaj proteste edhe për shkak të një vendimi politik që ka mbajtur kundër krijimit të Gjykatës Speciale më 2015.
Në një farë mënyre mund të dilte e të thoshte që kjo ka qenë kauzë e tij e vjetër.
Dhe kështu do të sfumonte gjithë sfondin politik të kësaj proteste, e cila mes të tjerash drejtohet edhe kundër tij. Ose, së paku, është e motivuar nga qëndrimet e tij politike po aq sa dhe nga sjellja e prokurorëve në Hagë.

Nëse ai dhe Vetëvendosja do të dilnin sot e të thoshin “erdhët më në fund në qëndrimin tonë”, ata thjesht do të kishin ulur eksitimin politik që shkakton protesta në Kosovë në zemër të një fushate elektorale për zgjedhjet lokale dhe në prag të dështimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Nuk e bëri për dy arsye.

E para, se kauzën kundër Gjykatës Speciale e ka pasur false. E ka pasur kauzë kundër Perëndimit dhe jo kundër Gjykatës Speciale. Duke qenë se Gjykata ka qenë një imponim i SHBA dhe BE, ai aty nuk ka përfaqësuar dashurinë për UÇK, por qëndrimin e tij tashmë të konsoliduar kundër Perëndimit. Pra ka demonstruar profilin e tij politik anti-perëndimor.
Po ta kishte atë kauzë pro-UÇK, do të ishte sot në protestë. Ai në fakt i ka qëndruar besnik motiveve përse ka votuar kundër Gjykatës Speciale, pasi vazhdon të jetë kundër Perëndimit. Dhe kjo është arsyeja pse ato kërkesat e tij për votimin kundër më 2015 nuk i bëjnë përshtypje askujt dhe u duken bajate. Nuk e ka pasur votën pro UÇK, por kundër Perëndimit.

Së dyti, ai e refuzon këtë protestë jo aq sepse është protestë kundër Gjykatës Speciale, por sepse e di që është kundër tij. Ata njerëz në shesh, më shumë se Haga, i egërson qëndrimi cinik i qeverisë së tyre ndaj fatit të udhëheqësve politikë dhe bllokimi i një ndihme zyrtare për ta.

Duke qenë e tillë, kjo protestë bëhet edhe më shumë politike, edhe më shumë elektorale, edhe mbi të gjitha edhe më shumë anti-Albin se çdo protestë tjetër në Kosovë. Është një protestë që e ka ndarë shoqërinë e Kosovës jo pro dhe kundër UÇK, por pro dhe kundër Albin Kurtit. Dhe kjo duhet t’i jetë dukur mbrëmja më e gjatë e këtyre pesë viteve në pushtet./TEMA