Me kasolle buzë detit, rërë të bardhë të valëzuar dhe ujëra bruz, destinacioni evropian është krahasuar me ishullin e bukur të Azisë Jugore – që është një “hit” për turistët.

Plazhet me rërë të bardhë e të pastër dhe ujërat kristalore në Rivierën Shqiptare konsiderohen nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”, shkruan Matt Jackson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.

Dhërmiu shquhet si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje rëre prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon.

Baret buzë detit ofrojnë birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.

Megjithatë, më në jug ndodhet Ksamili, i konsideruar si “Maldivet e Evropës” në mediet sociale.

Plazhet si Pema e Thatë janë bërë gjithashtu të njohura për turistët – falë kasolleve të ngritura në plazh.

Këto kasolle, të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, janë bërë një sensacion viral në TikTok.

Një amerikane që ëndërronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Evropë zbuloi një destinacion mahnitës të ngjashëm me Maldivet – ku birrat kushtojnë vetëm 1,50 paund.

Cepee Tabibian u largua nga Teksasi për në Spanjë kur mbushi 35 vjeç, por vetëm vitin e kaluar ajo zbuloi destinacionin e bukur evropian që ajo pretendon se shumë amerikanë nuk e njohin ende.

Artikulli i botuar në CNBC, zbulon se Cepee kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë përpara se të zgjidhte të kalonte një muaj në vendin ballkanik.
Cepee i kushtoi një muaj kryeqytetit, Tiranës, ndërsa eksploroi edhe vijën bregdetare të Shqipërisë.

Ndërsa Cepee pranon se Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, ajo këmbëngul se ky vend plotëson shumë kritere – për individët që duan të shkëmbejnë jetën në SHBA me Evropën.

Cepee e vlerësoi Shqipërinë për koston e përballueshme të jetesës dhe peizazhet mahnitëse.

“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje”, shkroi ajo.

Cepee tha se shpenzimet e ushqimeve, të të ngrënit jashtë dhe kujdesit mjekësor e bëjnë Shqipërinë një mundësi tërheqëse për personat që duan të punojnë si nomadë digjitalë apo pensionistët.

Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të zhvillojnë turne nëpër Alpe, si dhe në detin Adriatik në perëndim dhe në detin Jon në jug.

“Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia. Në një ditë të kthjellët, ju mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me target”, shtoi ajo.

“Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë”, tha Cepee.

Cepee, gjithashtu, vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit – pas izolimit të saj nën regjimin komunist deri në vitin 1992. /ATA/