Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e së dielës në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku një 32-vjeçar humbi jetën si pasojë e një sulmi me thikë.

Viktima, Besmir Kumria, ishte duke qëndruar në një lokal së bashku me miqtë e tij, kur është qëlluar me mjet prerës nga një person, i cili menjëherë pas ngjarjes u largua nga vendi i krimit. Kumria ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa autori u shpall në kërkim.

Pas hetimeve intensive dhe kontrolleve në terren, policia arriti të identifikojë dhe të vërë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, dyshohet se konflikti që çoi në vrasje ka nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme mes dy familjeve, lidhur me një kanal vaditës në fshat.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të krimit, ndërkohë që autori do të përballet me akuzën e “vrasjes me dashje”.