Chelsea ka marrë një lajm të keq në vijimin e përgatitjeve për sezonin e ri. Levi Colwill, një nga talentet më premtues të mbrojtjes, ka pësuar një dëmtim serioz të ligamentit të përparmë të gjurit (ACL) gjatë një seance stërvitore në Cobham dhe tashmë ka kaluar me sukses një operacion.
22-vjeçari u lëndua në fund të stërvitjes së parë të ekipit pas rikthimit nga pushimet verore dhe mungesa e tij në ceremoninë e festimit të trofeut të Kupës së Botës për Klube në “Stamford Bridge” kishte ngritur pikëpyetje të shumta. Klubi ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar se bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë që do ta mbajë Colwill jashtë fushave për një periudhë të gjatë.
Trajneri Enzo Maresca, në një konferencë për shtyp para miqësores ndaj Bayer Leverkusen e konfirmoi situatën.
“Mbrojtësi Levi Colwill i është nënshtruar me sukses një operacioni për dëmtimin e ligamentit ACL. Levi tani do të fillojë procesin e rikuperimit dhe do të mbështetet plotësisht nga stafi mjekësor i klubit në Cobham”, deklaroi tekniku italian.
Kjo është një humbje e rëndësishme për Chelsean, që e shihte Colwill si një pjesë kyçe të projektit të ri nën drejtimin e Marescës. Rikuperimi i një dëmtimi të tillë zakonisht zgjat 6 deri në 9 muaj, çka nënkupton se Colwill mund të mungojë për pjesën më të madhe të sezonit 2025-26.