Ka gjithë dhimbjen e Izraelit, në botën e Haya Engel. Vëllai i saj është 32 vjeç, sapo është kthyer nga Gaza, është një ushtar. “Për shkak të stresit dhe kushteve të përjetuara ka zhvilluar sëmundjen e Crohn-it. Nuk do të dezertonte kurrë, jo: çmimi që paguhet me shoqërinë dhe me ndërgjegjen tënde është shumë i lartë. Por është i traumatizuar, si të gjithë. Kjo luftë duhet të marrë fund, tani”, thotë ajo ndërsa sheshi Zion fillon të mbushet me flamuj të verdhë, simbol i pengjeve, dhe flamuj izraelitë, me foto të pengjeve ende në duart e Hamasit dhe të fëmijëve palestinezë të vrarë nga bombat izraelite.

Nuk ka turmën e madhe njerëzore që përshkon Tel Avivin, por është një marshim që bën zhurmë. Jerusalemi është qyteti më konservator, zemra e konfliktit. Prindërit e Hayas, që është 26 vjeçe dhe studion farmaci, në këtë shesh nuk do të vinin kurrë. “Ata janë të djathtë, besojnë se qeveria ka vërtet në zemër interesin e të gjithëve. Nuk i fajësoj, por nuk pajtohem. Nuk më është kursyer asgjë këto vite: kam humbur disa shokë universiteti në festivalin Nova. Vëllai im ka shërbyer në Gaza. Në fillim e kam mbështetur përgjigjen e Izraelit. Por tani është një luftë hakmarrjeje, që nuk do t’i shpëtojë pengjet dhe do të vazhdojë vetëm të vrasë palestinezë të pafajshëm”.

Flasim mes zhurmës së sloganeve, daulleve dhe zërave që bërtasin me megafon drejt një qyteti që vështron me frikë. Një grup izraelitësh me kipah ndërhyn në marshim, në fund të rreshtit. Të tërbuar. “Shkoni protestoni në Gaza!”, bërtasin, duke treguar në celularët e tyre fotot e ushtarëve të vrarë. Grisin pankartat “Mjaft luftë”. Dy protestues ndërhyjnë, fillojnë shtyrjet dhe disa shkelma, policia arrin shpejt ta shuajë përplasjen.

Gilad Gal sheh me nervozizëm skenën. “Këta janë ata që nuk besojnë në urinë në Gaza, në krimet e luftës, nuk besojnë në asgjë”, nxehet ai. “Por mbi të gjitha refuzojnë të besojnë se vendi i tyre është i aftë të kryejë mizori të tilla. Tani shohim konfliktet nga lart, bombardojmë nga larg, me avionë dhe dronë, dhe kjo i pengon njerëzit të shohin luftën në sy”. Gilad është si një lumë që vërshon. “Palestinezët mund të kishin ndërtuar diçka që t’i afrohej një shteti, pas tërheqjes izraelite nga Gaza në 2005, në vend të kësaj zgjodhën ta kthenin në selinë qendrore të vëllezërve myslimanë dhe të ekstremizmit. Asnjë apartheid nuk justifikon atë që ata bënë më 7 tetor. Por është e vërtetë edhe e kundërta: apartheidi që Izraeli u ka imponuar krijoi kontekstin në të cilin ndodhi 7 tetori”. Dhe tani rreziku është ai që edhe shefi i shtabit, Zamir, ka paralajmëruar në mbledhjen e fundit, të tensionuar, të kabinetit të sigurisë: të bien të dy popujt në një “vrimë të zezë”.

Izraeli nuk pranon, ngrihet, del në sheshe, pushton rrugët, kryqëzimet, urat. Në Haifa, në qytetet arabe të veriut, në jug, në fshatrat e Negevit. Dhe në Tel Aviv, ku marshimi rritet deri në mbi 60 mijë njerëz të udhëhequr nga familjet e pengjeve. Qeveria planifikon më shumë luftë, ata duan paqe. Einav Zangauker, nëna e pengut Matan, i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Benjamin Netanyahu: “Nëse do të pushtoni pjesë të Rripit dhe pengjet do të vriten, ne do t’ju ndjekim nëpër sheshe, në zgjedhje, në çdo vend dhe në çdo kohë”. Janë edhe vajzat e Pink Front, Frontit rozë: “Okupimi vret, një marrëveshje i shpëton”, kanë shkruar në pankartën e tyre. Përhapet fjala se protestat kanë mbërritur deri në Sha’ar HaNegev, në jug, pothuajse në kufirin me Gazën. Turma duartroket: “Është vendi më afër pengjeve që mbahen prej 673 ditësh”. Policia siguron marshimin me agjentë me kuaj dhe me topa uji. Dy net më parë ka pasur përplasje para ministrisë së Mbrojtjes, e cila është kthyer tashmë në një shenjtore të protestave. Edhe një grup veteranësh lufte është ngritur me çadra para Kirias. Por nuk mjafton më, të thonë të gjithë. Duhet një protestë më goditëse. Është një tjetër grua e guximshme, Vicky Cohen, nëna e ushtarit Nimrod, që hedh idenë: greva e përgjithshme. “Kabineti i sigurisë ka vendosur, me vetëdije të plotë, të heqë dorë nga djali im Nimrod dhe nga të gjithë pengjet. Ka vetëm një mënyrë për ta shmangur: gjithçka. Pse nuk ndalet ekonomia? Jeni me mua? Heshtja po i vret!”

Për 22 muaj, qeveria Netanyahu ka mbështetur se ka vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar pengjet: presioni ushtarak. Në sheshe askush nuk e beson më. “Yossim im u vra për shkak të intensitetit të luftimeve. U godit nga një raketë e Forcave Ajrore në vendin ku mbahej”, kujton Nira Sharabi, bashkëshortja e Yossi Sharabit, i vrarë në robëri. Gilad e përsërit si një mantrë: “Duhet ta ndalim luftën, të lirojmë pengjet dhe të shkojmë në zgjedhje për të ndryshuar regjimin”./La Repubblica