Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj, është ndër atraksionet absolute të pushimeve për turistët e huaj, por edhe ata vendas.

I fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, Gjiri i Gramës është një destinacion i preferuar për pushuesit që zgjedhin bregdetin e jugut të Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi pushuesish që shijojnë ujërat e kaltra të Gjirit të Gramës, ndërsa kanë ngritur çadra kampingu në rërën e plazhit.

“Dhe me këtë energji pushimesh nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit (Vlorës).

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga stuhitë detare.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.