Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të zhvillojnë pasditen e sotme në Prishtinë një protestë në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Një ditë më parë në një konferencë për mediat, Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së, ju ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, në mbrojtje të luftës çlirimtare.
“I ftoj qytetarët që bashkëndjejnë me ne të marrin pjesë në këtë protestë në ora 17:00 në sheshin ‘Skëndërbeu’ për të dërguar një mesazh edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm, dhe ne do jemi gati t’iu dalim në mbështetje sa herë të jetë nevoja”, është shprehur Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në rrjete sociale deklaroi se Prishtina do t’i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së për drejtësi për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Nga ana tjetër, presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media e cilësoi jashtëzakonisht shqetësuese faktin që Gjykata Speciale ka pranuar “provave të prodhuara nga shteti i Serbisë”, duke theksuar se ato jaë historikisht të falsifikuara dhe për qëllim kanë rishkrimin e historisë së luftës së UÇK-së. Ajo iu bëri thirrje institucioneve, qytetarëve dhe mbarë popullit shqiptar që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Protesta është theksuar se do të jetë një tubim paqësor, me moton “Kundër padrejtësisë”, për të dëshmuar solidaritetin me liderët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë. Protesta ka gjetur mbështetje të madhe nga të gjitha faktorët relevant shqiptarë, përfshirë partitë politike, deputetët, organizatat joqeveritare dhe qytetarë të shumtë.
Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së
Hashim Thaçi po gjykohet për krime të dyshuara të luftës pasi u arrestua me urdhër nga Gjykata Speciale para katër viteve. Në rastin e parë, ai akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, bashkë me ish-zyrtarë të tjerë të lartë të Kosovës, si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Vitin e kaluar, ndaj Thaçit u ngrit një aktakuzë e re për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e parë gjyqësor. Përveç Thaçit, në aktakuzën e dytë janë përfshirë edhe emrat e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajt, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut. Thaçi është deklaruar i pafajshëm në dy rastet gjyqësore.
Ndërkohë ditën e djeshme Gjykata Speciale në Hagë vendosi që t’i zgjatet paraburgimi ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre të akuzuarve të tjerë: Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut. Katër vendimet e ndara janë marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot më 5 gusht 2025. Gjyqtarja Masselot është shprehur se për Thaçin ende ekziston rreziku i pengimit të procedurave me mbylljen e çështjes së Prokurorisë në rastin për krime lufte.
Gjyqtarja ka konstatuar gjithashtu se ekziston rreziku që ai të arratiset si dhe të kryej krime të tjera. Raportohet se mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon dhe Luka Mishetiç nuk ka parashtruar asnjë përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit.