Në zemër të Prishtinës sot u mbajt një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit në mbrojtje të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me aktakuza në Gjykatën Speciale në Hagë. Tubimi u organizua nga organizatat e dala nga lufta, nën moton: “Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”, dhe mblodhi qindra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës.
Por ajo që la një shije të hidhur në opinionin publik ishte mungesa flagrante e disa figurave të rëndësishme politike, të cilët në raste të tjera nuk kanë kursyer fjalët për “mbështetjen” e UÇK-së. Në radhë të parë, mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndonëse ka ndërtuar karrierën e tij mbi simbolikën e luftës dhe rezistencës, sot nuk ishte aty.
Edhe më befasuese ishte mungesa e Izet Mexhitit, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe pjesë e koalicionit opozitar VLEN në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti, që shpesh e paraqet veten si zë i të drejtave shqiptare në rajon, zgjodhi të heshtë në një moment kritik, kur pjesa tjetër e kombit po protestonte për figurat që dikur mbrojtën lirinë e Kosovës me armë në dorë.
Zërat kritikë në opinion kanë rikujtuar faktin se Mexhiti është përfolur prej kohësh për një qëndrim të dyfishtë ndaj UÇK-së, madje edhe për përfshirje në vendime politike që kanë cenuar ish-luftëtarët. Deklaratat e tij të fundit për “moszbatimin e fletarresteve serbe” në Maqedoni, të interpretuara si lëvizje taktike politike, sot u panë në një dritë më të ftohtë – si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë reale.
Organizatorët e protestës thanë se qytetarët u mobilizuan masivisht falë mbështetjes nga komunat, që ofruan transport falas për të gjithë. Flamuj kombëtarë, pankarta mbështetëse dhe thirrje për drejtësi rezonuan për orë të tëra në qendër të Prishtinës.
Në kohën kur drejtësia ndërkombëtare po shihet si e njëanshme, mungesa e dy figurave që pretendojnë se përfaqësojnë interesin shqiptar, nuk është veçse një sinjal i zymtë për unitetin kombëtar.