Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca statusore mbi përgatitjen e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo konferencë, sipas trupit gjykues, synon që të bëhen përgatitje para se mbrojtja të nisë paraqitjen e provave të saj.

Të pranishëm në sallë plenare janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërkaq Jakup Krasniqi po e përcjell seancën përmes video-lidhjes.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Në konferencën e fundit statusore, të mbajtur më 22 korrik, ekipet e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë ankuar se nuk kanë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e rastit të tyre.

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL