Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta një ditë më parë.

Në mesazh, Osmani thekson se Zheji la pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit, duke e cilësuar atë si një zë të guximshëm, një mendimtar të lirë dhe një penë të shquar të gazetarisë shqiptare.

Osmani përmend gjithashtu edhe kontributin e Zhejit në dokumentimin dhe shkrimin për dhimbjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë.

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji. Ai u shua papritur, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit. Artur Zheji do të kujtohet si një zë i guximshëm, një mendimtar i lirë dhe një penë e shquar e gazetarisë shqiptare.

Ai shkroi edhe për dhimbjet dhe shkatërrimet që kishte lënë pas regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit medial. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Artur Zhejit!”, thuhet në mesazh.