Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim BDI, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sot në protestën e organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protesta u mbajt kundër, siç u cilësua, padrejtësive që po iu bëhen ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ahmeti theksoi përkrahjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat, të cilët, sipas tij, janë bashkuar për të mbështetur luftëtarët e lirisë.

“Shqiptarët nga të gjitha anët – nga Struga, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi dhe Kumanova sot vërshuan rrugët drejt pjesëmarrjes në këtë protestë kundër padrejtësive.”-u shpreh Ahmeti.

Ai shtoi se ky bashkim është dëshmi e unitetit kombëtar, por paralajmëroi se shqiptarët sot përballen me kërcënime serioze ndaj identitetit dhe dinjitetit të tyre.

“Populli ynë historikisht ka qenë i bashkuar si një trup i vetëm. Por sot na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti. Prandaj, jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.”-tha Ahmeti para protestuesve.

Tubimi mbarëkombëtar u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.