Gjatë muajit korrik, për disa ditë me radhë, politikani populist i krahut të djathtë në Britani të Madhe, Nigel Farage, u përfshi në një debat virtual me Kryeministrin Edi Rama për emigrantët shqiptarë në Angli.
Ai deklaroi gjatë korrikut se 1 në 50 shqiptarë në Angli, ndodhet në burg, gjë që u kundërshtua ashpër nga Kryeministri Rama, i cili tha se raporti i vërtetë është 1 në 100.
Por teksa për disa ditë vijoi ky debat virtual për emigrantët shqiptarë në Britani të Madhe, lideri i partisë “Reform UK”, Farage, të martën shpalli planin e tij për deportimin nga Angli të mijëra emigrantëve të paligjshëm. Dhe në listën me 10 shtete të shpallur prej tij, nuk bën pjesë Shqipëria.
Arsyet përse Shqipërinë nuk e ka bërë pjesë të planit të tij në “listën e zezë” nuk dihen. Ose ndoshta Kryeministri Rama arriti ta bindë dhe fitoi debatin me të.
Sipas planit të Farage për emigracionin, bëhet fjalë për deportimin e 600 mijë emigrantëve të paligjshëm.
Kritikët thanë se deportimet masive të Farage do të nënkuptonin dërgimin e azilkërkuesve përsëri në vende si Afganistani ose Irani, ku ata mund të përballen me persekutim, madje edhe me tortura dhe vdekje.
Ai e injoroi këtë, duke thënë se “ne nuk mund të jemi përgjegjës për të gjitha mëkatet që ndodhin në të gjithë botën”.
Ky është plani i partisë së Farage, nëse do fitojë zgjedhjet në Britani të Madhe që pritet të mbahen në vitin 2029.