Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar heshtjen e Kuvendit të Kosovës ndaj, sipas tij, shkeljeve të rënda të të drejtave ligjore të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëluftëtarëve të tij që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Rama ngre shqetësimin për mungesën e një reagimi institucional nga Kosova dhe kërkon miratimin e një rezolute pa dallime politike, që të denoncojë, siç shkruan ai, cenimin e procesit të rregullt ligjor nga Dhomat e Specializuara.

Postimi i plotë i Edi Ramës në Facebook:

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!

Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet.”

Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.