Strategjia e turizmit e miratuar së fundmi parashikon një qasje të re sa i takon rritjes së qëndrueshmërisë së stafit të kualifikuar që punon në këtë sektor por jo vetëm.
Në një kornizë më të detajuar se dokumenti fillestar, qeveria pranon se për këtë do të punohet me të gjithë palët për të gjetur një zgjidhje mbi atë që quhet punësim i përhershëm sezonal. Modeli do të jetë i ngjashëm me skemën e Kroacisë por duke ju përshtatur kushteve që ka vendi ynë.
“Një kusht paraprak për zbatimin e suksesshëm të kësaj mase është zhvillimi i një kuadri të qartë legjislativ që përcakton udhëzimet dhe rregulloret sipas së cilave do të administrohet kjo masë. Ky kuadër duhet të fokusohet te punonjësit sezonalë në industrinë e turizmit, duke siguruar që ata të marrin kompensim të përshtatshëm kur nuk janë duke punuar në mënyrë aktive, si dhe duhet të stimulojë punëdhënësit që të mbajnë forcën e tyre punëtore për sezonet pasuese. Duke ndjekur një qasje të ngjashme me “Skemën e Punonjësve të Përhershëm Sezonalë të Kroacisë,” Shqipëria mund të rrisë sigurinë në punë për punonjësit sezonalë dhe të ruajë një forcë punëtore të kualifikuar për industritë sezonale,”- thuhet në strategji.
Qeveria pranon se ndonëse kjo masë fokusohet kryesisht te punonjësit në sektorin e turizmit dhe hotelerisë, ekziston mundësia që mbështetja financiare të shtrihet edhe për punonjësit e tjerë sezonalë gjatë periudhave të tyre të pushimit.
“Shtrirja e mbështetjes financiare do të siguronte një forcë punëtore të nevojshme për punëdhënësit në industri të ndryshme që përballen me ulje të ngarkesës së punës për shkak të natyrës sezonale të bizneseve të tyre” nënvizon dokumenti.
Por cilat janë në fakt veçoritë kryesore të kësaj nisme që do të materializohet me një kuadër specifik:
– Përcaktimi i qartë i grupeve të synuara dhe përfituesve të mbuluar nga kjo masë (punëmarrësit dhe punëdhënësit);
– Përcaktimi i periudhës minimale që duhet të punojnë punonjësit pa ndërprerje, për të njëjtin punëdhënës, për t’u kualifikuar për këtë masë (për shembull, të paktën gjashtë muaj dhe të paktën një sezon);
– Identifikimi i llojeve të punëdhënësve dhe aktiviteteve ekonomike që kualifikohen për subvencione, si p.sh., bizneset që përballen me ulje të volumit të punës gjatë sezoneve jashtë pikut, për shkak të natyrës sezonale të veprimtarive të tyre;
– Përcaktimi i kohëzgjatjes maksimale të masës, pra për sa kohë do të ofrohet mbështetje financiare (për shembull, deri në gjashtë muaj pas përfundimit të sezonit);
– Specifikimi i kostos për përfitimet dhe sigurimet shëndetësore edhe pas përfundimit të sezonit që do të mbulohen nga qeveria në vend të punëdhënësit gjatë kohëzgjatjes së masës;
– Përcaktimi i shumës së ndihmës ekonomike që do të marrin punonjësit, e llogaritur në bazë të përfitimeve nga papunësia, si dhe i përqindjes së pagës mesatare të mbuluar gjatë periudhës së masës;
– Përcaktimi i qartë i detyrimeve të përfituesve, si p.sh., të garantojnë ripunësimin e punonjësve të përhershëm sezonalë në sezonin pasues pas përfundimit të masës dhe mbajtja e të njëjtit numër të punonjësve të dhënë në datën e dorëzimit të aplikimit për një periudhë të caktuar.