Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pas samitit në Shtëpinë e Bardhë me Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë të hënën e kaluar.
Duke folur sot para gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti amerikan tha se SHBA-të nuk po shpenzojnë më para për Ukrainën.
“Ne nuk shpenzojmë më para për Ukrainën. Ne merremi me NATO-n, jo me Ukrainën”, tha Donald Trump, duke shtuar se nuk janë diskutuar garanci specifike sigurie për Kievin, por se SHBA-të do të jenë në dispozicion për të ndihmuar.
Donald Trump tha se nëse ai do të kishte qenë president, lufta në Ukrainë “nuk do të kishte ndodhur kurrë”. Ai theksoi se Putin nuk dëshiron që të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky.
“Putini nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn sepse nuk e pëlqen atë’, tha ai.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se nuk sheh ndonjë lëshim nga Moska në bisedimet e paqes.
“Sa i përket lëshimeve të Rusisë, unë nuk di asgjë rreth tyre. Nuk mendoj se ajo që tha pala ruse, domethënë se ata janë të gatshëm të ndalojnë pushtimin e Ukrainës, janë lëshime. Nuk mendoj se fakti që ata po ofrojnë të tërhiqen nga territoret që Rusia nuk i kontrollon është një lëshim. Sepse ishin Shtetet e Bashkuara që propozuan, mbaj mend, një armëpushim më 7 mars. Ne e mbështetëm atë,” shpjegoi ai.