Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Ai bëri të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit ka identifikuar 14 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 10 janë arrestuar dhe 4 janë proceduar penalisht.

“Strukturat e Forcës Kombëtare të Sigurisë, njësitë ‘Shqiponja’, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale janë në terren për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe për të mbështetur Emergjencat Civile dhe Zjarrfikësit në përballimin e flakëve.” -shkruan Rama.

Kryeministri vijon duke thënë se operacionet do të vazhdojnë për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.