Një plan i propozuar nga rrethi i ngushtë i Presidenti i SHBA Donald Trump synon ndalimin e luftimeve në Ukrainë, duke njohur de facto territoret e pushtuara nga Rusia dhe duke lehtësuar sanksionet ndaj Moskës.

Lajmi është zbuluar nga media polake Onet, sipas së cilës propozimi i është dorëzuar autoriteteve ruse dhe është koordinuar me disa fuqi evropiane.

Plani nuk parashikon një marrëveshje paqeje të plotë, por një armëpushim afatgjatë me kushte që konsiderohen të favorshme për Rusinë. Më poshtë janë pikat kryesore të propozimit:

Armëpushim, jo marrëveshje paqeje, Luftimet do të ndaleshin, por statusi ligjor i territoreve të pushtuara do të mbetej i pazgjidhur.
Njohje de facto e territoreve të pushtuara, Bisedimet për statusin përfundimtar të këtyre territoreve do të shtyhen për një periudhë prej 49 deri në 99 vjet.
Lehtësim i sanksioneve ndaj Rusisë, Do të mundësohej rikthimi i eksporteve të naftës dhe gazit rus drejt Bashkimit Evropian.
Asnjë premtim për moszgjerimin e NATO-s, Një kërkesë e përsëritur e Moskës që nuk do të përfshihej në marrëveshje.
Vazhdimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën, Sipas burimeve, kjo mbështetje amerikane do të vazhdonte, çka konsiderohet si e pranueshme për Rusinë.

Aktualisht, mbetet e paqartë nëse Kremlini do ta pranojë këtë ofertë, ndërsa reagimet zyrtare nga Kievi dhe vendet perëndimore ende nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, sipas burimeve, Donald Trump pritet që në një të ardhme të afërt të zhvillojë një takim me presidentin rus Vladimir Putin.