Takimi i shumëpritur midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit amerikan Donald Trump mund të zhvillohet që në fillim të javës së ardhshme, sipas dy burimeve të afërta me procesin e negociatave.

Sipas raportimeve të Fox News, takimi pritet të mbahet të hënën në Romë, megjithëse ende nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht.

Nëse takimi nuk realizohet këtë javë, Roma mbetet një opsion i mundshëm për një datë të mëvonshme.

Megjithatë, burime diplomatike bëjnë të ditur se pasiguritë mbeten të larta, kryesisht për shkak të qëndrimit të Ukrainës dhe dinamikës së vazhdueshme në frontin e luftës.

Nga ana tjetër, burime ruse të cituara nga agjencia shtetërore TASS pretendojnë se samiti nuk do të zhvillohet në Evropë.

Më herët, qarqe brenda Kremlinit kishin lënë të kuptohej se një vend arab mund të shërbente si mikpritës i takimit, dhe vetë Putin deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe janë “një vend i përshtatshëm për të dyja palët”.

Ndërkohë, Donald Trump deklaroi të mërkurën se është arritur “progres i madh” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, vetëm disa orë pas një takimi treorësh në Moskë mes të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Kjo nismë vjen pavarësisht deklaratave të fundit të Trump, i cili e ka dënuar ashpër ofensivën ruse ndaj Kievit, duke e quajtur Putinin “të çmendur” dhe sulmet me raketa si “të neveritshme”.

Sidoqoftë, Trump po paraqitet sërish si një ndërmjetës i mundshëm për të sjellë paqen, duke theksuar se ndonëse nuk është arritur ende një pikë kthese, ai beson se “po i afrohemi fundit të kësaj rruge”.

Në diskutim është gjithashtu një takim trepalësh mes Trump, Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Një samit i tillë do të përbënte zhvillimin më të rëndësishëm diplomatik që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Por Putin, në stilin e tij të zakonshëm, paralajmëroi se “ende ka shumë për të bërë” përpara se të jetë gati të ulet në një tryezë me Zelensky-n.