“A po i numërojmë bandat apo jo?” ishin fjalët e fundit të Charlie Kirk, përpara se të qëllohej për vdekje gjatë një eventi të mbajtur të mërkurën pasdite në Universitetin Valley, në Orem, Utah. Aktivisti konservator 31-vjeçar ndodhej në një sesion pyetjesh me publikun, duke diskutuar për dhunën me armë në Shtetet e Bashkuara, kur u godit nga një plumb fatal.

Kirk, një figurë kyçe në të djathtën amerikane dhe themelues i organizatës Turning Point USA, po u përgjigjej pyetjeve të debatueshme nga audienca. Debati u përqendrua tek statistikat e lidhura me të shtënat masive dhe përkatësinë gjinore apo racore të autorëve. Kur një anëtar i publikut e sfidoi për numrin e amerikanëve transgjinorë të përfshirë në akte të tilla, Kirk u përgjigj me një “Shumë”, duke shkaktuar brohoritje nga turma.

Pas një replike të mëtejshme, ku personi i njëjtë përmendi shifrën “pesë”, Kirk e mbylli diskutimin me një pyetje që tani po përmendet si simbol i tensioneve sociale në SHBA:

“A po i numërojmë bandat apo jo?”

Pak sekonda më pas, një e shtënë u dëgjua dhe Kirk ra në tokë, i goditur në qafë. Ai u largua me urgjencë nga truprojat, por më vonë u konfirmua se kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.

Trump reagon: “Një humbje e paimagjinueshme”

Presidenti Donald Trump, përmes një postimi në “Truth Social”, e quajti vdekjen e Kirk “një goditje për zemrën e Amerikës konservatore”.

“I Madhi dhe Legjendari Charlie Kirk ka vdekur. Askush nuk e kuptoi më mirë zemrën dhe shpirtin e të rinjve amerikanë.”

Një “vrasje politike”?

Hetimet paraprake po e trajtojnë ngjarjen si një vrasje me motive politike, megjithëse deri tani nuk ka prova për përfshirje të ndonjë grupi. Autori dyshohet se ka vepruar i vetëm. Plumbi fatal dyshohet se u qëllua nga çatia e Qendrës Losee, rreth 60 metra larg vendit ku ndodhej Kirk.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një figurë të zezë në çatinë përballë dyshohet të jetë atentatori.

“A po i numërojmë bandat?”

Kjo pyetje e fundit e Kirk tashmë është bërë temë diskutimi në rrjetet sociale dhe në opinionin publik. Disa e shohin si një sfidë ndaj hipokrizisë politike, të tjerë si një shprehje e tensioneve racore dhe klasore që ndajnë opinionin amerikan për dhunën me armë.

Nëse kjo fjali ishte një provokim, një kritikë, apo një thirrje për vëmendje, ajo tashmë është bërë një manifast post-mortum, që do të përcillet gjatë në politikën e brendshme amerikane.