Dy udhëheqësit autoritarë, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, u dëgjuan duke diskutuar mundësinë që transplantet e organeve të çojnë në pavdekësi, gjatë një shkëmbimi të shkurtër fjalësh të kapur nga një mikrofon i hapur në një paradë ushtarake.
Presidenti rus ndodhej të mërkurën në Pekin, së bashku me udhëheqësin kinez, i cili priti aleatët në një ceremoni për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa Putin dhe Xi udhëhiqnin një delegacion të liderëve të huaj, media shtetërore transmetoi drejtpërdrejt pamje që përfshinin pjesë të një bisede që dukej si private. Gjatë ecjes drejt një tribune të ngritur në Sheshin Tiananmen, përkthyesi i Putinit dëgjohej të thoshte në gjuhën kineze:
“Bioteknologjia po zhvillohet vazhdimisht.”
Pas një pjese të pakuptueshme, përkthyesi shtoi: “Organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht. Sa më shumë të jetosh, aq më i ri bëhesh, dhe [madje mund] të arrish pavdekësinë.”
Xi, i cili nuk ishte në pamje, u dëgjua duke u përgjigjur në kinezisht: “Disa parashikojnë që gjatë këtij shekulli, njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjeç.”
Putin e konfirmoi më pas për gazetarët se kishte diskutuar me Xin mbi perspektivat për rritjen e ndjeshme të jetëgjatësisë njerëzore.
Të dy liderët kanë treguar pak interes për t’u tërhequr nga pushteti gjatë jetës së tyre. Në vitin 2018, Xi hoqi kufizimet e mandateve presidenciale, duke i hapur rrugën qeverisjes pa afat. Edhe Putin ka ndryshuar ligjin në Rusi për t’i lejuar vetes qëndrimin në pushtet për një kohë të pacaktuar.
Segmentë të elitës ruse, përfshirë vetë Putinin, kanë qenë prej kohësh të magjepsur nga jetëgjatësia dhe shkenca e zgjatjes së jetës.
Në vitin 2024, Putin urdhëroi ligjvënësit të krijonin një qendër kërkimore të quajtur “Teknologjitë e Reja të Ruajtjes së Shëndetit”, e dedikuar për luftimin e plakjes. Projekti fokusohet në zhvillimin e “teknologjive që parandalojnë plakjen qelizore, neuroteknologjive dhe risi të tjera që synojnë jetëgjatësinë.”
Sipas një hetimi të mëparshëm të medias së pavarur ruse Meduza, Mikhail Kovalchuk, një mik i ngushtë i familjes së Putinit, po udhëheq kërkimet e Rusisë mbi pavdekësinë — një temë me të cilën ai dhe figura të tjera me ndikim pranë Kremlinit thuhet se janë “të fiksuar”. Meduza raportoi se Kovalchuk ka investuar në teknologjinë e printimit të organeve, që përdor qeliza të rritura në laborator për të krijuar organe zëvendësuese.
Vajza e madhe e Putinit, endokrinologia Maria Vorontsova, ka përfituar grante milionëshe nga qeveria ruse për të studiuar rigjenerimin qelizor dhe mënyrat për të zgjatur shëndetin dhe jetëgjatësinë e njeriut. Ajo është e përfshirë gjithashtu në një program kërkimor gjenetik të lidhur me Kovalchuk. Kur SHBA vendosi sanksione ndaj saj në vitin 2022, Departamenti i Shtetit deklaroi se ajo drejtonte programe gjenetike të financuara nga Kremlini me vlerë miliarda dollarë.
Gjatë kësaj bisede, Putin dhe Xi po ecën së bashku me diktatorin koreano-verior Kim Jong-un, i cili po buzëqeshte dhe shikonte në drejtim të tyre. Nuk ishte e qartë nëse biseda po përkthehej për të.
Pamjet e mëvonshme treguan tre liderët duke u ngjitur në shkallët drejt tribunës së vëzhgimit për paradën.
Ky moment u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror CCTV dhe iu shpërnda mediave të tjera, përfshirë agjencitë ndërkombëtare të lajmeve AP dhe Reuters.
Parada më e madhe ushtarake në historinë e Kinës përfshinte 50,000 spektatorë dhe një shfaqje madhështore të pajisjeve ushtarake nga tanket dhe dronët, deri te raketat bërthamore, avionët luftarakë dhe ata me teknologji “stealth”.
Shfaqja u interpretua si një sfidë ndaj Perëndimit. Ndër të pranishmit ishin edhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe udhëheqësi i juntës së Mianmarit, Min Aung Hlaing.
Në fjalimin e tij zyrtar, Xi i tha turmës se populli kinez qëndron fort “në anën e duhur të historisë”. Ai deklaroi se Kina është një komb i madh që “nuk frikësohet nga asnjë ngacmues” -një referencë e nënkuptuar për SHBA-në dhe aleatët e saj dhe shtoi se Kina është “e pandalshme”./The Guardian