Çmimi i kalimit në tunelin e Llogarasë, zyrtarizohen tarifat: 250 lekë për një kalim me autoveturë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Zv/Kryeministrja Belinda Balluku ka bërë të ditur se tarifa për kalimin e një autoveture në tunelin e Llogarasë do të jetë 250 lekë me TVSH, duke hedhur poshtë spekulimet për çmime të larta.
Gjatë konferencës “Shqipëria turistike 2030”, Balluku theksoi se, pas një analize të gjerë të kostove operacionale dhe amortizimit të infrastrukturës së tunelit, çmimi i kalimit në një drejtim do të jetë 250 lekë, ndërsa vajtje-ardhje do të kushtojë 500 lekë.
“Jo 10 euro, jo 5 euro, as 50 euro siç është përfolur më parë”, deklaroi ajo, duke sqaruar se çmimet për kategori të tjera, si autobusët apo trajlerat, do të përcaktohen sipas një studimi të detajuar të fizibilitetit.
Kjo nismë vjen në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend.