Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet të martën, më 23 shtator 2025, në orën 16:00, për të shqyrtuar një projektvendim të rëndësishëm që synon shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, thuhet se mbledhja thirret në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ku pika e vetme e rendit të ditës është:
“Projektvendim për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.”
Ky zhvillim vjen një ditë pas mbledhjes së grupit të këshilltarëve socialistë në Tiranë, ku burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se është arritur konsensusi politik për shkarkimin e Veliajt.