Nga “rilindja” e vitit 2013 deri te mandati i katërt që pritet të nisë nesër, 11 shtator, Partia Socialiste ka kaluar më shumë se një dekadë të mbushur me Kongrese, Asamble e mbledhje vendimtare.

Çdo mandat është shoqëruar me ngjarje të bujshme politike, me ndryshime në kabinet apo momente të forta elektorale. Në prag të këtij kapitulli të ri qeverisës, e në fakt historik për një parti politike në Shqipëri, ne kemi përmbledhur momentet kyçe të Edi Ramës në raport me skuadrën e tij.

Fillimisht do të ndalemi te janari i vitit 2013, që është edhe pikënisja e një rrugëtimi që mbase në atë kohë, pavarësisht çdo lloj ambicieje, nuk perceptohej kaq i shtrirë në kohë.

26 janar 2013 – Mobilizim për fitoren
Partia Socialiste nisi përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit, duke u fokusuar te verifikimi i listave elektorale, mbrojtja e votës dhe zgjerimi i koalicionit. Në Asamblenë Kombëtare u diskutua qëndrimi i PS ndaj vendimeve të KQZ-së, pas tensioneve mbi rishpërndarjen e mandateve që kishte shkaktuar debate mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Mbledhja u parapri nga takimi i kryesisë së PS dhe nga konsultimet e kryesocialistit Edi Rama me aleatët e partisë. Pas një fushate të zjarrtë, e me premtimin se projekti i “Rilindjes Shqiptare” do të shkruante një histori të re, më shtetin e së drejtës, më 23 qershor, PS fitoi për herë të parë zgjedhjet parlamentare.

18 korrik 2015 – Asambleja Kombëtare e PS dhe analiza e zgjedhjeve
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste u fokusua kryesisht tek analiza e rezultatit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Rama vlerësoi fitoren e PS-së dhe arritjet e qeverisë, duke vënë theksin te ulja e numrit të vrasjeve dhe rezultatet më të larta në zbulimin e krimeve, si tregues i punës së mirë të policisë.

Rama njoftoi gjithashtu ngritjen e një grupi të posaçëm për përgatitjen e ndryshimeve statutore, ku u përfshinë Armando Subashi, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, Majlinda Bufi, Musa Ulqini, Namik Dokle dhe Vasilika Hysi.

Sekretari i Përgjithshëm në atë kohë, Taulant Balla, nënvizoi se zgjedhjet brenda partisë do të zhvilloheshin sipas modelit të Partisë Laburiste dhe se mandati i kryetarit do të konfirmohej automatikisht kur partia fiton zgjedhjet e përgjithshme.

E pikërisht për mandatin e kryetarit, pati një debat Rama-Blushi.

Rama theksoi se vendimi për konfirmimin e tij do të merrej nga Kongresi i janarit 2016, ndërsa Blushi e quajti absurd dhe e akuzoi për keqqeverisje, duke u përplasur ashpër me kryesocialistin.

19 mars 2016 – Kongresi i Partisë Socialiste
Kongresi nisi me përshëndetjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i bëri thirrje delegatëve të ishin në lartësinë e besimit të qytetarëve.

Dy pikat kryesore ishin fjala e kryetarit Edi Rama dhe diskutimet për ndryshimet statutore që priteshin për votim. Ky Kongres shërbeu më së shumti për të konsoliduar unitetin e partisë, por edhe për të miratuar Referendumin mbi ligjshmërinë e mandatit të Ramës

21 mars 2016 – Debati mbi Referendumin

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u diskutua për referendumin e miratuar nga Kongresi, i cili do të pyeste anëtarësinë nëse kryetari i partisë mund të vazhdonte mandatin si kryeministër në rast fitoreje të PS-së në zgjedhje parlamentare.

Arta Dade kërkoi informacion nga Gramoz Ruçi, i cili konfirmoi se vendimi ishte miratuar në Kongres dhe nuk kishte vend për paqartësi. Ben Blushi, deputet në atë kohë, pyeti për nisjen e fushatës për referendumin, por Ruçi tha se nuk do të kishte fushatë zyrtare dhe secili mund ta zhvillonte në mënyrë të pavarur.

Kryeministri Rama qëndroi indiferent ndaj çështjes, ndërsa Valentina Leskaj shprehu kundërshtimin e saj.

29 shkurt 2020 – Kongresi për mandatin e tretë
Gjatë Kongresit, Edi Rama deklaroi se për mandatin e tretë synonte 800 mijë vota, duke theksuar se mandati i dytë kishte qenë i suksesshëm dhe me rezultatet më të larta për PS-në në 30 vitet e fundit.

Kongresi u fokusua në raportimin e politikave qeverisëse dhe legjislative: rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, pakti për universitetin dhe politikat arsimore, drejtësia, energjia dhe infrastruktura, turizmi, e drejta e pronës dhe procesi i legalizimeve, si dhe integrimi europian dhe rajonal.

1 mars 2020 – Kongresi i PS që zgjati tre ditë dhe forumi rinor
Kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë u mbajt në datat 28, 29 dhe 1 mars 2020. Ky kongres u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe kishte si fokus riorganizimin e partisë, forcimin e strukturave rinore dhe përfshirjen e gruas në politikë.

Në ditën e tretë të kongresit, kryeministri Edi Rama iu drejtua të rinjve të forumit rinor socialist (FRESSH), duke theksuar se debatet mbi Presidentin Ilir Meta ishin artificiale dhe një humbje kohe.

Ai propozoi që Forumi Rinor i partisë të drejtohej nga një djalë dhe një vajzë, me qëllim pasqyrimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në strukturat drejtuese. Ky propozim u miratua nga delegatët e Kongresit.

10 maj 2021 – Asambleja Kombëtare pas 100 ditëve qeverisje të mandatit të tretë
Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Edi Rama analizoi 100 ditët e qeverisë së mandatit të tretë dhe për herë të parë zbuloi arsyet e ndarjes me LSI-në.

Kryeministri tha se ajo ndarje ishte e domosdoshme për të mos kompromentuar Reformën në Drejtësi. Ai akuzoi opozitën PD-LSI se po përpiqeshin të bllokonin procesin e reformës dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Rama kërkoi nga ministrat rezultate konkrete që të preken në jetën e qytetarëve, ndërsa paralajmëroi se rikandidimi i kryebashkiakëve socialistë do të kushtëzohej me suksesin e reformës së ujit.

Prioritetet e kabinetit, sipas tij, do të mbeteshin arsimi, shëndetësia dhe reforma në sistemin e inspektoriateve…Lexo më shumë

2 qershor 2021 – Asambleja që shpalli Kongresin e Jashtëzakonshëm
Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm më 12 qershor, ku do të kremtohej 30-vjetori i partisë.

Kongresi kishte si objektiv analizimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe përgatitjen e partisë për sfidat e ardhshme, duke përfshirë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë kuadër, u miratua një proces riorganizimi dhe hapjeje të partisë, me synimin për të përfshirë më shumë të rinj dhe gra në strukturat drejtuese

Asambleja u zhvillua online, në mungesë të Edi Ramës (i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në Turqi), dhe u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla…Lexo më shumë

12 qershor 2021 – Kongresi i jashtëzakonshëm i PS dhe 30-vjetori i partisë
Partia Socialiste mbajti Kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin “Air Albania” për të festuar 30-vjetorin e themelimit dhe pas fitores së mandatit të tretë qeverisës. Gjatë forumit, Kryeministri Edi Rama prezantoi projektet e qeverisë për katër vitet e ardhshme, duke theksuar se fokusi do të jetë tek kapitali njerëzor, inovacioni teknologjik dhe një administratë e çliruar nga punësimet jashtë meritës.

Një moment i rëndësishëm ishte tërheqja e Gramoz Ruçit pas 30 vitesh pozicione drejtuese në PS; ai njoftoi se me nisjen e legjislaturës së re në shtator nuk do të jetë më pjesë e forcës politike. Në Kongres morën pjesë figura të rëndësishme, përfshirë themelues dhe liderë historikë si Fatos Nano. Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e Këshillimit Kombëtar për të dëgjuar qytetarët dhe siguroi se flamuri i PS nuk do të mbrojë asnjë zyrtar që shkel ligjin, duke konfirmuar mbështetjen e partisë për reformën në drejtësi.

2 shtator 2021 – Takimi i parë me deputetët socialistë
Në nisje të mandatit të tretë, Edi Rama zhvilloi një takim me të gjithë deputetët e rinj të PS-së, duke dhënë mesazhe të qarta për qeverisjen.

Ai paralajmëroi një analizë të thelluar të strukturave dhe largimin e atyre që nuk kishin arritur objektivat. Rama theksoi se partia do të hapej më shumë dhe i ftoi deputetët të nisnin menjëherë punën për zgjedhjet e vitit 2023 dhe 2025.

9 prill 2022 – Kongresi i PS dhe mesazhet e Ramës
Në Kongresin e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama kërkoi nga SPAK të hetojë shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA-të, duke nënvizuar se çdo deklaratë duhet të verifikohet dhe të ketë përgjigje. Rama gjithashtu theksoi se PS nuk do të mbrojë asnjë zyrtar që shkel ligjin, madje duke paralajmëruar se vetë ai mund të kallëzojë në SPAK socialistët që abuzojnë.

Kryeministri diskutoi edhe për legalizimin e kanabisit mjekësor si mundësi për të hapur vende pune dhe paralajmëroi një referendum të ardhshëm për përdorimin vetjak. Ai përmendi gjithashtu situatën në Partinë Demokratike, duke theksuar se Shqipëria nuk do të ketë opozitë efektive për sa kohë ekziston kjo parti.

7 maj 2022 – Asambleja e PS-së dhe thirrja për transformim
Në Asamblenë e PS-së, Edi Rama kërkoi një profil të ri politik për partinë dhe theksoi se socialistët duhet të shkëputen nga individët që e shfrytëzojnë partinë vetëm për interesa. Ai kritikoi drejtorë e shefa që shfaqen vetëm në fushata, duke i cilësuar si “armiq të transformimit”.

Kreu i qeverisë pranoi se fitorja e mandatit të tretë e kishte lënë më të trazuar se kurrë, pasi fitoret, sipas tij, rrezikojnë të humbasin sensin e vetëkorrigjimit. Për këtë arsye, Rama kërkoi që PS-ja të mbajë këmbët në tokë dhe të përgatitet për sfidat e radhës…Lexo më shumë

4 shtator 2023 – Asambleja e PS-së dhe zhvillimi turistik
Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama vlerësoi arritjet e qeverisë gjatë dekadës, duke theksuar veçanërisht bumin turistik dhe zhvillimin e qyteteve bregdetare dhe zonave më të largëta.

Ai nënvizoi se Shqipëria 2030 është ende një sfidë në zhvillim dhe se progresi i bërë rrit nevojën për dije, aftësi dhe vendimmarrje të shpejtë, duke krahasuar Shqipërinë e 2023-it me atë të një dekade më parë, kur ishte një destinacion i papërfillshëm për turizmin evropian.

8 dhjetor 2023 – Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së
Në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria gjatë dekadës së qeverisjes së PS-së është një vend që çmohet ndërkombëtarisht.

Ai përmendi përparimet e arritura në ekonomi, turizëm, shërbime digjitale dhe menaxhimin e krizave si tërmeti dhe pandemia, duke theksuar se vendi ka fituar respekt ndërkombëtar dhe është më i fortë, më i organizuar dhe më i qëndrueshëm se kurrë më parë.

Socialistët mbajtën Kongresin duke u fokusuar kryesisht tek sukseset dhe sfidat e qeverisë. Kryeministri Edi Rama përmbylli punimet me një fjalim 90-minutësh, ku theksoi përparimin e Shqipërisë në ekonomi, turizëm, shërbime publike dhe menaxhimin e krizave.

Ai theksoi nevojën për drejtësi të re, luftë kundër korrupsionit dhe përfshirje të inteligjencës artificiale në prokurime, ndërsa paralajmëroi rinovimin e strukturave drejtuese të partisë në pranverë. Rama adresoi gjithashtu çështjet ndërkombëtare dhe nënvizoi se vendi ka fituar respekt botëror.

Kongresi përfshiu gjashtë panele tematike: Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Prioritetet Zhvillimore, Shërbimet Publike, Qeverisja Vendore, Siguria dhe pozicioni i Shqipërisë në botë, si dhe vizioni “Partia Socialiste 2030”.

11 qershor 2024 – Asambleja Kombëtare online dhe thirrja e Kongresit Zgjedhor
Partia Socialiste mbajti Asamblenë Kombëtare online, ku Kryeministri Edi Rama njoftoi miratimin e vendimit për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të PS-së më 20 korrik. Rama theksoi se procesi i “rienergjizimit” të partisë kishte sjellë një rritje të dukshme të anëtarësisë aktive: 32 mijë anëtarë të rinj u regjistruan në të gjithë territorin, prej të cilëve 11 mijë e 400 janë të rinj dhe të reja nga 18 deri në 30 vjeç.

Nga zgjedhjet për delegatët e Kongresit të ri janë propozuar 10 mijë kandidatë, nga të cilët dolën 1 mijë e 200 delegatë, përfshirë kryetarë bashkish dhe anëtarë këshillash; 76% e tyre marrin pjesë për herë të parë në Kongres. Ky rezultat shënon një objektiv të arritur për përfaqësimin e të rinjve, duke kaluar 50% të Kongresit me anëtarë të rinj.

Rama shtoi se e njëjta ambicie duhet të udhëheqë edhe zgjedhjen e 156 anëtarëve të Asamblesë së re Kombëtare, të cilët do të zgjidhen nga Kongresi, ndërsa 156 të tjerë do të zgjidhen me votë të fshehtë; synimi është që 3/4 e tyre të jenë për herë të parë pjesë e Asamblesë Kombëtare.

13 gusht 2024 – Kongresi Zgjedhor i PS-së dhe ndryshimet qeverisëse
Partia Socialiste mbajti Kongresin Zgjedhor, ku u diskutuan arritjet e qeverisë, lufta kundër korrupsionit dhe punët e brendshme të partisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshime të papritura në kabinet, duke përfshirë emërimin e Ervin Hoxhës ministër të Brendshëm, Petrit Malajt në Financë dhe Pirro Vengun në Mbrojtje, si dhe ndryshime në poste të tjera.

Gjithashtu, u prezantua platforma “Deputeti që duam” për të marrë mendimin e anëtarësisë mbi të zgjedhurit aktualë.

Po cilat janë ndryshimet më të bujshme në qeverinë Rama (2014–2024)
2014- Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, dorëhiqet. Zëvendësohet nga Ermonela Felaj. Erion Veliaj largohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale për të kandiduar për Bashkinë Tiranë. Posti i tij i besohet Blendi Klosit. Nasip Naço dorëhiqet, Ylli Manjani në krye të Ministrinë e Drejtësisë.

2016

Ministri i Financave Shkëlqim Cani shkarkohet, vendin e tij merr Arben Ahmetaj. Milva Ekonomi emërohet Ministre e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dorëhiqet, Sokol Dervishaj emërohet në vend të tij.

2017

Shkarkime masive: Saimir Tahiri (Ministër i Brendshëm), Blendi Klosi (i Mirëqenie Sociale), Bledi Çuçi dhe Damian Gjiknuri. Ylli Manjani shkarkohet nga Ministria e Drejtësisë, zëvendësohet nga Petrit Vasili.

2018

Besa Shahini (Ministria e Arsimit) pasoi Lindita Nikollën pas protestave të studentëve. Gent Cakaj (Ministria e Jashtme) pasoi Ditmir Bushatin. Ministra të rinj: Anila Denaj, Belinda Balluku, Blendi Çuçi, Elva Margariti dhe Eduart Shalsi.

Zv/kryeministër: Erion Braçe zëvendëson Senida Mesin.

2021

Shtohen ministritë e shtetit: Elisa Spiropali, Edona Bilali, Bora Muzhaqi, Milva Ekonomi (Standarde dhe Shërbime). Arben Ahmetaj zëvendëson Erion Braçen si zv/kryeministër.

2022

Në korrik, Arben Ahmetaj shkarkohet nga posti i zv/kryeministrit (akuzat për inceneratorët).

Periudha 2023-2024 karakterizohet nga më shumë ndryshime, ndërsa ajo që bie në sy është fakti se Ministri i Brendshëm ka ndryshuar plot gjashtë herë që nga 2013-a.

12 vite me dinamikë, por sërish jemi gjithë sy e veshë për emrat e qeverisë “Rama 4”, pasi objektivi sipas kryeministrit është i qartë: Shqipëria 2030, pjesë e familjes evropiane!/TV KLAN.

*Lajmi është punuar nga Tv KLAN