Kryeministri Edi Rama është takuar në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Rutte u shpreh se Shqipëria është një aleat i fortë i NATO-s dhe se brenda këtij viti do të arrijë të plotësojë angazhimin për shpenzimet në mbrojtje deri në 2% të PBB-së. Po ashtu përmendi edhe faktin se Shqipëria po zhvillon bazën industriale të mbrojtjes, që për Rutte-n është shumë i rëndësishëm në këtë moment. Ai i tha Ramës se Shqipëria po ndihmon shumë edhe në luftën në Ukrainë.

“Dëshiroj të ju falënderoj shumë që jeni një aleat kaq i fortë. Ne e dimë që NATO mund të mbështetet tek Shqipëria. E dini, që Shqipëria gjithmonë mund të mbështetet tek NATO”, tha Rutte.

Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se ka gjithmonë diçka për të mësuar prej NATO-s.

“Jemi për të rikonfirmuar gjithçka thatë dhe më shumë. Duam të bëjmë më shumë. Ne jemi duke lëshuar rilindjen e industrisë ushtarake. Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju mbi hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për ta bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Shqipëri, në Porto Romano. Sigurisht, jemi këtu gjithashtu për të biseduar së bashku se si mund të përfshihemi në programin SAFE të Bashkimit Europian, i cili në aspektin e sigurisë shtrihet përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së”, tha Rama në fjalën e tij.

Kryeministri Edi Rama ndodhet që prej ditës së martë, 16 shtator në Bruksel, në kuadër të Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare ku hapën edhe katër kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Herën e fundit ata janë takuar në qershor, në vigjilje të Samitit të NATO-s në Hagë, ku diskutuan për angazhimin e NATO-s për të mbështetur terminalin ushtarak në Portin e ri të Durrësit në Porto Romano.

Rama dhe Rutte janë takuar edhe në ambientet e Kryeministrisë në Shqipëri, në maj 2025, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Ata kanë diskutuar vazhdimisht lidhur mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin e vendit në NATO.

Ish-kryeministri holandez dhe kreu i qeverisë shqiptare njihen për miqësinë e tyre dhe humorin që i karakterizon në çdo takim.

Për Ramën, Rutte është jo vetëm një mik i veçantë, por edhe mbështetës i paepur i vendit tonë.