Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste të zhvilluar dje, ku ai njoftoi se çështja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, e arrestuar dhe në qeli me akuza nga SPAK, do të trajtohet me seriozitet institucional, sytë e politikës dhe publikut janë drejtuar tek mekanizmat ligjorë që mund të çojnë në shkarkimin e tij dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja lokale.

Rama, duke kritikuar mënyrën e arrestimit të Veliajt, i cilësoi si “të nxituara” dhe pa respekt për procesin ligjor dhe institucionet lokale, ndërsa theksoi se kryetari aktual nuk do të shkarkohet automatikisht, duke paralajmëruar se për shkarkimin do të ndiqet një proces ligjor e institucional, ku përparësi ka funksionimi i Bashkisë Tiranë dhe shërbimet për qytetarët. Ai bëri thirrje për një vendim politik pavarësisht mendimeve individuale dhe ndjenjave personale.

Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, së bashku me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, përcaktojnë qartë procedurën që duhet të ndjeket në raste të tilla. Në këtë kuadër, shkarkimi i një kryetari bashkie nuk është i menjëhershëm, edhe nëse ai ndodhet në paraburgim apo përballet me akuza serioze. Fillimisht, iniciativë mund të marrë një e treta e anëtarëve të Këshillit Bashkiak ose Prefekti i Qarkut, por vendimi përfundimtar varet nga vetë Këshilli Bashkiak.

Në këtë mënyrë, Këshilli Bashkiak, përmes votimit me shumicë të cilësuar, është institucioni që vendos nëse do të kërkojë shkarkimin e kryetarit. Më pas, kjo kërkesë i përcillet Këshillit të Ministrave, i cili me vendim qeverie formalizon shkarkimin, ndërsa Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme lokale.

Ky mekanizëm ka rëndësi të veçantë në rastin e Bashkisë Tiranë. Edhe pse Veliaj ndodhet në paraburgim, ai mbetet teknikisht në detyrë, përderisa Këshilli Bashkiak nuk miraton shkarkimin e tij. Kjo praktikisht i jep pushtet këshilltarëve bashkiakë, të cilët, duke qenë shumicë kryesisht të Partisë Socialiste, kanë në dorë fatin politik dhe ligjor të kryetarit në detyrë.

Ogerta Manastirliu, u shpall dje kandidate për drejtimin e Bashkisë së Tiranë, një figurë potenciale politike përkrah Ramës dhe së fundmi drejtuese politike e Tiranës.

Nëse procedurat ligjore dhe vendimet politike do të çojnë në shkarkimin e Veliajt, ajo pritet të “kurorëzohet” në krye të kryeqytetit, duke u bërë figura e re e qeverisjes lokale.

Në fund të këtij procesi, gjithçka mbetet në dorën e këshilltarëve bashkiakë, të cilët mbajnë “kartonin e fatit” të kryetarit aktual, ndërsa institucionet qendrore Këshilli i Ministrave dhe Presidenti formalizojnë dhe zbatojnë vendimet, duke hapur rrugë për një etapë të re zgjedhjesh në kryeqytet./Lexo.al