Grekët që bëjnë pushime në “Rivierën Shqiptare”
Përshkruajnë tek «Kathimerini» një destinacion tërheqës, me çmime të përballueshme, ndërsa flasin edhe për ato që i habitën.

Një vend që pak vite më parë ishte terra incognita po e zbulojnë mijëra grekë, të cilët zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre. Tashmë askush nuk e mendon Shqipërinë si një vend misterioz e të mbyllur, ku shkojnë vetëm udhëtarët e guximshëm, por si një destinacion tërheqës që ofron pushime cilësore dhe ekonomikisht të përballueshme për çdo shije.

Shifra 700.000 flet vetë. Ky është, sipas të dhënave të Zyrës së Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare, numri i mbërritjeve turistike në Shqipëri nga Greqia për vitin 2024. Edhe pse në këtë shifër përfshihen ata që e përdorin Shqipërinë si vendkalim për të udhëtuar drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm ata që e zgjedhin si destinacionin kryesor, është një numër që do të konsiderohej i paimagjinueshëm deri para pak vitesh.

«Rindërtimi është i madh»

Ata që kanë bërë pushime në Shqipëri flasin për një vend me bregdet të bukur dhe të organizuar, hotele të shkëlqyera që ofrojnë shërbimet dhe komoditetet me të cilat janë mësuar nga pushimet në Greqi dhe restorante për çdo shije. Flasin gjithashtu për mikpritjen e banorëve shqiptarë dhe për “ethet” ndërtimore në Tiranë dhe qytete të tjera, që tregojnë se vendi po modernizohet me ritme të shpejta, por edhe për gjëra që i çuditën. Në pak fjalë, besojnë se Shqipëria është një vend që ia vlen ta vizitosh.

Mihalis Tsakiris ka vizituar dy herë Shqipërinë. I pëlqeu “Riviera Shqiptare”, por më shumë e lanë mbresa qytetet dhe sidomos Tirana. Siç thotë për «K», «në mendjen tonë Shqipëria ekziston siç ishte vite më parë, por nuk ka asnjë lidhje me pamjen e sotme të saj».

Plazhet e Durrësit mund t’i krahasoj me ato të Halkidikit përsa i përket zhvillimit.

Megjithëse i pëlqeu shumë e ashtuquajtura “Riviera Shqiptare”, më shumë e impresionuan qytetet, kryesisht Tirana. «Rindërtimi është i madh në Tiranë. Po ndërtohen qiellgërvishtës me dizajn shumë modern. Njerëzit janë të këndshëm dhe mikpritës. Gjithçka ishte e pastër dhe çmimet më të ulëta se në Greqi. Gjithashtu, ndiheshe i sigurt sepse në qytet kishte një prani policore të rregullt dhe diskrete».

11,7 milionë turistë

Mihalis Tsakiris flet edhe për plazhet e Durrësit, të cilat mbushen nga turistë italianë. «Mund t’i krahasoj me ato të Halkidikit përsa i përket zhvillimit. Plazhi i qytetit është plot me kafene dhe restorante, por mbizotëron rendi absolut. Të gjitha karriget e lokaleve duhet të jenë në një vijë të drejtë dhe të mos dalin në këmbësore. Policia vinte dhe bënte matje. Nëse konstatonte që lokali ishte “shtrirë” më tepër, i vendoste përsëri karriget në vijë të drejtë», thotë ai.

Atij i bëri përshtypje edhe fakti se Shqipëria është shumë miqësore për kafshët shtëpiake. «Kudo që shkuam gjetëm akomodim që pranonte qenin tonë. Na lejuan gjithashtu ta kishim me vete në një muze që vizituam në Gjirokastër», thekson ai.

Matina Birbili tregon fotografinë e saj në Beratin piktoresk, i njohur edhe si Veratio ose Verati, një qytet në Shqipërinë jug-qendrore.

Kur shkova në Sarandë, prisja të shihja një fshat, por pashë një qytet.

Matina Birbili shkoi për herë të tretë në Shqipëri në shtator 2024. Dy herët e para kaloi thjesht për të shkuar drejt Bregut Dalmat, por ato që pa – dhe kryesisht Durrësin – i pëlqyen dhe vendosi t’i kushtojë Shqipërisë disa ditë më shumë. «Pashë një zhvillim shumë të madh, shumë hotele, shumë plazhe të organizuara dhe shumë ndërtesa të larta që më bënë përshtypje. Kur shkova në Sarandë, prisja të shihja një fshat, por pashë një qytet», thotë ajo për «K».

«Ana e varfër të kujton Greqinë e viteve 1970»

Ashtu si z. Tsakiris, edhe znj. Birbili u impresionua nga zhvillimi i Tiranës me qiellgërvishtësit që po ndërtohen, por flet edhe për anën tjetër, «anën e varfër që të kujton Greqinë e viteve 1970».

Ajo vlerëson gjithashtu se Shqipëria tashmë kërcënon të marrë turistë nga Greqia, pasi është zgjedhje për italianët dhe ballkanasit, por mendon se ka adoptuar edhe disa zakone të këqija greke. «Shezlongët dhe çadrat janë kudo dhe kushtojnë 15-20 euro seti. Na përzunë nga plazhet kur shkuam me peshqirët tanë», thotë.

Nga njëra anë sheh lagje që të kujtojnë dekadat e tjera të vendit tonë, dhe pastaj sheh qendrën e Tiranës me qiellgërvishtës dhe pallate moderne

Jorgos Zotos vizitoi në shkurt Tiranën dhe konstatoi atë që vunë re të gjithë: zhvillim i madh, por edhe zona që mbeten dekada pas. «Është sikur të kenë bërë një kërcim nga vitet 1980 në 2025 dhe të jetë zhdukur gjithçka ndërmjet. Nga njëra anë sheh lagje që të kujtojnë dekadat e tjera të vendit tonë dhe pastaj sheh qendrën e Tiranës ku rindërtimi është i madh me qiellgërvishtës dhe pallate moderne».

  1. Zotos thotë se Shqipërisë i duhet kohë për të arritur cilësinë e produktit turistik të Greqisë. Megjithatë, ai mbeti i kënaqur si nga çmimet, ashtu edhe nga ajo që pa. «Hoteli në qendër ishte shumë i mirë dhe kushtonte 40 euro me mëngjes. Do të doja të shkoja përsëri në ndonjë tjetër vend të Shqipërisë», thekson ai.

«Nëse do të jetonim në Greqinë e Veriut, ndoshta do të shkonim përsëri. Shqipëria është më e lirë se vendi ynë dhe ka natyrë të bukur, që i ngjan asaj greke»

Dimitris Sakas dhe Maria Griza vendosën t’i bëjnë pushimet në Shqipëri pasi gjykuan se zgjedhja e tyre fillestare – Halkidiki – ishte shumë e shtrenjtë në periudhën e 15 gushtit. Qëndruan në një hotel me katër yje në Himarë, i cili u kushtoi 60 euro nata me mëngjes.

«Pothuajse si Mykonos»

Siç thonë në «K», Himara iu pëlqeu shumë, Gjirokastra edhe më shumë, por Saranda nuk i kënaqi veçanërisht. «Shumë qiellgërvishtës, shumë hotele, shumë beach bar-e dhe gjithçka për turistët italianë. Ishte përplot. Pothuajse si Mykonos».

Të dy besojnë se ka gjëra që duhen përmirësuar, por përshtypja e vizitës së tyre ishte pozitive. «Nëse do të jetonim në Greqinë e Veriut, ndoshta do të shkonim përsëri. Shqipëria është më e lirë se Greqia dhe ka natyrë të bukur, që i ngjan asaj greke. Gjithashtu, u rrëzua brenda nesh stereotipi se ekziston armiqësi mes shqiptarëve dhe grekëve», thonë ata.