Të gjithë do të mësojnë paraditen e së enjtes emrat e ministrave të qeverisë së re. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste që do të mblidhet paraditen e datës 11 Shtator, në periferi të Tiranës, kryetari socialist, njëherësh kryeministër i vendit Edi Rama, do të publikojë listën e emrave që do të jenë pjesë e ekzekutivit të tij në këtë mandat të katërt qeveritar.

Pritet që në përbërje të ekzekutivit të ri të jenë përfaqësues politikë socialist dhe teknicienë. Një kombinim mes eksperiencës dhe brumosjes politike socialiste dhe teknikëve që pritet të zënë vende në dikastere të rëndësishme. Një amalgam i menduar mirë nga kreu i qeverisë.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama po ashtu pritet të shpalosë edhe piketat e qeverisjes së 4 viteve të ardhshme dhe sfidat me të cilat do të përballet ajo, prioritet mbeten reformat e nevojshme për integrimin evropian, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.

Sipas rendit të ditës, pas fjalës së kryeministrit Rama, do të ketë një hapësirë për diskutime.

Ndërkohë që një ditë pas mbledhjes së Asamblesë sociliste, do të zhvillohet seanca e parë e Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit.. Presidenti i Reublikës Bajram Begaj, ka dekretuar tashmë datën 12 Shtator për mbledhjen e legjislaturës së XI-të. Seancë në të cilën të 140 deputetët e rinj do të betohen për të ushtruar detyrën e tyre në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Pas konstituimit të parlamentit, kryeministri Rama do të duhet që të dorëzojë në zyrën e Presidentit propozimet për ministra. Presidenti ka në dispoicion 7 ditë kohë për dekertimin e ministrave, ndërkohë që më pas brenda 10 ditësh dekretet e kreut të sstetit kalojnë për votim në seancë plenare. Në të njëjtën seancë ku kryeministri paraqet edhe programin politik të qeverisë së tij.