Deputetja socialiste Olta Xhaçka është zgjedhur sot në unanimitet Zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE), një nga organet më të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në kontinentin evropian.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhaçka u shpreh e nderuar për besimin që iu dha nga kolegët ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë post si një “mesazh të fortë besimi se Shqipëria ka zë, peshë dhe vizion”.

“Detyra që më është besuar sjell përgjegjësi të qarta: të forcoj zërin e vendit tim në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”, deklaroi ajo.

Xhaçka u zotua të angazhohet për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në KiE, përkrahjen ndaj Ukrainës në përpjekjet për drejtësi dhe paqe, si dhe për nxitjen e reformave që rrisin besueshmërinë e Shqipërisë si partnere ndërkombëtare.