Nga Ilir Yzeiri/
Në librin e tij « Nexus » Juval Harari thotë se informacioni ndikon te njerëzit jo sepse ai paraqet realitetin, por sepse ai krijon rrjete njerëzish të cilët lidhen mes tyre me anë të besimit që iu ushqen një informacion i caktuar. Me lindjen e shtypshkronjës u bë e mundur që idetë e tyre mund t’i përhapnin jo vetëm shkencëtarët, por edhe heretikët, konspiracionistët, protoshkencëtarët, revolucionarët e të tjerë. Ndërsa krijimi i internetit ka mundësuar që çdo opinion të qarkullojë si të ishte lajm i një agjencie të specializuar.
Harari, po ashtu, vë në dukje se « nexus-i », pra bashkëlidhja e njerëzve në informacion ose ekzistenca e tij në formën e rrjetit që e përcjell nga njëri te tjetri, ka favorizuar më shumë konspiracionistët. Është një anë e njeriut që joshet më shumë me magjinë, me konspiracionin. Si shembull për këtë merret histora e gjuetisë së shtrigave në Europë. Krijimi i këtij miti, pra i disa qenieve që udhëhiqeshin nga Djalli dhe që futeshin edhe në shpirtin e njeriut, çoi në masakrat më të mëdha që janë bërë mbi të pafajshmit në Europë.
Është emblematik fakti që idetë e autorit të librit mbi shtrigat, Kramerit, gjenden edhe sot të lëvizja QAnon e cila përhap dhe mbështetet mbi konspiracionin satanik universal. Por, pikërisht në këtë periudhë, libri i Galileut dhe Kopernikut u shtyp vetëm në disa qindra kopje ndërsa libri i Kramer për shtrigat, në mijëra e mijëra kopje. Ky besim te « fake news»-i nuk është i ri.
Shqipëria, për fat të mirë, nuk është përfshirë nga vala e debateve ideologjike që kanë tronditur sot Amerikën, por edhe Europën. Vrasja e Charly Kirk është vetëm maja e ajsbergut e një shoqërie të ndarë që përpiqet të hedhë poshtë institucionet e vjetra të besimit dhe të krijojë ide dhe kuptim të ri për njeriun, jetën, racën, ngjyrën, atdheun e familjen. Lajmet që vijnë sidomos nga SHBA-të për këtë përplasje në të cilën janë përfshirë gazetarë të njohur e showmenë që përjashtohen nga puna, përfaqësues të MAGA-s që i kanë mbushur faqet e rrjeteve sociale me një klimë toksike dhe leftisët, siç i quajnë ata, që përplasen me policinë, janë bërë shenjë e një kohe që po vë në pikëpyetje gjithçka. Shqipëria, edhe në këtë pikë, për fat të mirë, tregon se është një shoqëri tolerante, sepse, mesa duket, kështu është ngjizur.
Ajo ka refuzuar çdo lloj besimi dhe ka ndërtuar një tipologji të menduari që nuk e përdor edhe si armë për të kundërshtuar mendimin ndryshe të atyre që kanë një kuptim tjetër për gjininë, familjen, racën apo ngjyrën e lëkurës. I vetmi debat që mban ndezur rrjetet sociale është ai politik. Dhe këtu, për çudi apo për paradoks, vihet re po ajo shenjë e antropologjisë së të menduarit të shqiptarëve që është indiferenca dhe kënaqësia e showt. Le t’i marrim gjërat me radhë. Vitrina ku shfaqet realiteti politik, shoqëror, ideologjik e kulturor i çdo vendi, janë mediat e, sidomos tani, mediat digjitale, portalet, tv-të, blogjet, shkurt, çdo hapësirë virtuale që mbushet me informacion.
Aty ti do të vëresh se ka dy palë ose, më saktë, një njeri që tërheq pas vetes ose që shërben si nexus dhe që është kundërshtari politik i qeverisë e, më saktë, i Edi Ramës dhe, nga ana tjetër, Rama, i cili tashmë përfaqëson shtetin, qeverinë, mazhorancën dhe gjithçka që ka të bëjë me qeverisjen në këtë vend. Kjo betejë mes këtyre dy palëve është kthyer në epokën mesjetare dhe Berisha, i cili nuk përfaqëson më një koncept, apo një ide, apo një frymë opozitare, është kthyer në një agjent digjital që gatuan dhe përhap fake news.
Në një demokraci normale opinioni do të merrte vesh se çfarë ndodh në këtë vend përmes dialogut të palëve i cili mund të ishte edhe i ashpër. Mirëpo Berisha dhe ata që e ndjekin atë, e kanë asgjësuar dialogun dhe në vend të tij shpërndajnë receta magjish dhe halucinacione që flasin për një Djall e për shtriga që po i marrin frymën këtij vendi.
Në anën tjetër, Rama, i indoktrinuar nga fanatazitë e agjentit digjital, ka shpikur të kundërtën e Djallit- Diellën dhe ia paraqet Satanait, i cili nuk e duron dritën dhe ndizet e hidhet në sulm. E bukura është se kjo ndeshje mes agjentëve digjitalë dhe kjo fantazi e sëmurë ka përfshirë të gjithë ata që kanë zaptuar nga një banak televiziv dhe aty, në vend që të injorohet kjo betejë e pakuptim, vijon akoma zmadhimi i fantazisë së Berishës me konspiracione të tjera.
Kulmin e arriti Agim Nesho, të cilit ke frikë t’i vësh ndonjë epitet sepse është aq i mençur sa të merr të qarët, që propozoi burgun për atë që do ta hiqte qafe Ramën. Paralelisht me këtë, Mero Baze më duket botoi një listë të mediave që drejtohen ose kanë në krye PD-istë të noterizuar dhe aty dilte, por të gjithë e dinë, se vetëm dy media nuk diabolizojnë Ramën e ato janë Tema dhe Shqiptarja.com. Mirëpo, si ka mundësi që disa vënë alarmin se Rama ka mediat nën kontroll? Është fare e thjeshtë. Nëse marrim në vështrim historinë se si u krijua narrativa e shtrigave dhe Galileut, do të kuptojmë se sot përhapja e « fake news » dhe e narrativës së shtrigave dhe djallit është zbavitëse dhe tërheq më shumë shikues.
E vërteta nuk është spektakolare. Disa specialistë të komunikimit thonë kështu. Nëse jeni në shtëpi dhe dëgjoni një burrë e një grua që zihen jashtë, çfarë do të bënit ? Do të dilnit të zbaviteshit. Po nëse ju vjen në derë postieri dhe ju tregon zarfin me taksat që duhet të paguani? Natyrisht, mezi do të prisnit që ai të largohej. Ndaj në një vend folklorik si ky yni ku joshja nga spektakli i rrugës dhe apatia kronike janë tiparet themelore, spektaklet e opozitës së Berishës që rimerren nëpër banaqe televizive, jo vetëm që nuk frymëzojnë njeri që të heqë Ramën, por i bëjnë edhe më indiferentë. Dhe një si Agim Nesho, jo vetëm që nuk tremb njeri, por edhe ai të bën të ikësh një ditë më shumë me pushime.