Sot, 4 shtator 2025, në orën 10:00, Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të shqyrtuar ankimin e Partisë Demokratike lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

PD kërkon që të mos njihet vendimi i Komisionit Rregullator, duke pretenduar se procesi i zgjedhjeve është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi.

Kolegji Zgjedhor është instanca më e lartë që mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin, por që mund të rrezikojë dëshirën e socialistëve për të mbledhur Kuvendin në datën 12 shtator.

Gjithsesi, data përfundimtare do të përcaktohet nga Presidenti i Republikës, i cili ka afat deri më 20 shtator për të nxjerrë dekretin.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, që nxori fituese PS me 83 mandate, u shoqërua me një proces të gjatë ankimimesh, duke vonuar për 4 muaj certifikimin përfundimtar të rezultatit.

Madje, në disa prej qarqeve votat edhe u rinumëruan, por pa asnjë rezultat në favor të opozitës.