Pesë miliardë dollarë në një ditë të vetme, dhe e gjitha falë një kriptomonedhe të re.

Këtë javë, xhepat e familjes Trump janë më të “rëndë” se kurrë, madje më shumë se sa me dekada investimesh në pasuri të paluajtshme.
Debuti i kriptomonedhës WLFI u shënua të hënën, 1 shtator, duke u lançuar nga dy djemtë e presidentit amerikan, Eric dhe Don Jr., ndërsa Donald Trump konsiderohet “bashkëthemelues emeritus”. WLFI është emëruar sipas platformës së decentralizuar tregtare World Liberty Financial dhe synon të sjellë një qasje të re në tregtimin e aseteve dixhitale.

Investitorët e parë të tokenëve kishin dhënë miratimin që në korrik për të lejuar tregtimin e monedhës, duke hapur rrugën për shfrytëzimin e aseteve që më parë kishin qëndruar në portofolët dixhitalë të blerësve fillestarë. Megjithatë, deri më tani investitorët nuk mund të shisnin më shumë se 20% të zotërimeve të tyre të tokenëve.
Portofoli i familjes Trump mban mbi një të katërtën e totalit të tokenëve – rreth 16 miliardë tokena – dhe tregtimi i hënën e fundit ndihmoi në rritjen e kapitalit të tyre me 5 miliardë dollarë. Tokeni u lançua fillimisht me një çmim prej 30 centësh, ndërsa investitorët e hershëm e kishin blerë për vetëm 1.5 cent. Më vonë gjatë ditës, çmimi ra në 20 cent, ndërsa sipas të dhënave të CoinMarketCap, WLFI me vlerë 1 miliard dollarë u tregtua në ditën e hapjes.
Donald Trump ka treguar interes në këtë sektor falë ndikimit të fëmijëve të tij, të cilët e kanë këshilluar për këtë investim. Ai vetë ka thënë në një takim virtual se Eric, Don Jr. dhe Barron e njohin mirë botën e kriptomonedhave dhe menaxhimin e portofolëve dixhitalë.
WLFI nuk është kriptomonedha e vetme e “familjes Trump”. Në janar, presidenti amerikan lançoi tokenin $TRUMP, një “memecoin”, dhe menjëherë pas tij tokenin $Melania, të dedikuar gruas së tij. Të dyja këto kriptomonedha synojnë të përforcojnë praninë e markës familjare në botën e financave dixhitale.