Seanca plenare e 18 shtatorit në Kuvendin e Shqipërisë, e cila kishte në rend dite miratimin e programit politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, u shoqërua me tensione të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Në një dokument zyrtar drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, është paraqitur një kërkesë për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi dhe Fidel Kreka, pas sjelljes së tyre gjatë fjalës së Kryeministrit Edi Rama në sallën e Parlamentit.
Sipas dokumentit, deputetët e opozitës ndërhynë me zhurma, thirrje dhe penguan zhvillimin normal të seancës, teksa Kryeministri po prezantonte programin e qeverisë së re. Në vijim, deputetët Bardhi dhe Balliu iu drejtuan foltores dhe bllokuan fizikisht fjalën e Kryeministrit.
Veçanërisht, në dokument theksohet se Gazmend Bardhi ka goditur me mjete të forta në drejtim të Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, ndërsa të njëjtat veprime i atribuohen edhe deputetit Fidel Kreka.
Kërkesa mbështetet në nenin 63 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit, si dhe në nenet përkatëse të Kodit të Sjelljes së Deputetit, duke kërkuar:
Marrjen e masës disiplinore për dy deputetët opozitarë.
Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësim të çështjes.
Kujtojmë se kjo është seanca e parë pas formimit të qeverisë së re, ndaj tensionet e ngritura janë interpretuar si përplasje politike për legjitimitetin e mazhorancës dhe drejtimit të Kuvendit.