Një ditë pas votimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, propozimi për shkarkim i është dërguar zyrtarisht Këshillit të Ministrave për miratim përfundimtar, përmes Prefektit të Tiranës. Pritet që qeveria të mbajë një mbledhje ku do të merret vendimi final, në një proces që kryeministri Edi Rama e ka shoqëruar me paralajmërimin për zgjedhje të parakohshme në kryeqytet.
Në fokus të përgatitjeve për këto zgjedhje, kryeministri Rama zhvilloi një takim më shumë se dy orësh në kryeministri me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe me kandidaten e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu. Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, e cila u largua një orë më herët se pjesëmarrësit e tjerë.
Pasdite, në orën 18:00, Rama do të zhvillojë një tjetër takim në parkun “Eden” në kryeministri, ku do të mblidhen ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës. Burime nga Report TV bëjnë me dije se në qendër të diskutimeve do të jenë zgjedhjet e ardhshme në Bashkinë e Tiranës dhe mbështetja për kandidaturën e Manastirliut.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak një ditë më parë, janë votuar me shumicë prej 50 votash pro kërkesat për shkarkimin e Veliajt, të paraqitura nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe këshilltari Endri Shabani. Por, vetë Veliaj ka kundërshtuar procesin, duke e konsideruar atë të paligjshëm dhe ka paralajmëruar ankim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Nenit 115 të Kushtetutës, nëse ankimi bëhet brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet, duke bllokuar kështu edhe procesin zgjedhor për pasuesin e tij.