Kryeministri Edi Rama ka prezantuar të martën projektin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, një strukturë e re që synon përmirësimin e menaxhimit të furnizimit me ujë në vend.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama theksoi se problematika më e madhe mbetet abuzimi me ujin dhe mungesa e ndarjes mes konsumatorëve të ndershëm dhe atyre që vjedhin.

“Vija e kuqe që fatkeqësisht bashkitë se vendosën asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin, ai që paguan ka të gjithë të drejtën pse nuk e merr ujin, ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie siç ndodhi me ata që vjedhin energjinë elektrike, është treguar një përrallë e gjatë që iu hoq liria atyre që nuk paguan energjinë, iu pre energjia, nuk iu hoq energjia.-u shpreh Rama, duke shtuar se ai që vjedh duhet të përballet me ndëshkime të rënda, përfshirë edhe heqjen e lirisë, njësoj siç ndodh me abuzuesit e energjisë elektrike.

Sipas tij, ka ardhur koha që të trajtohet seriozisht ky fenomen dhe të mos tolerohen më ata që përfitojnë në kurriz të qytetarëve që paguajnë rregullisht.