Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e kësaj të marte pamje nga situata në Kepin e Rodonit, pas ndërhyrjes për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë të mbrojtur. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama thekson se forcat e xhenjos kanë zbarkuar në vendin e ngjarjes për të pastruar volumet e mëdha të inerteve të lëna nga ndërhyrjet e paligjshme.
Kreu i qeverisë shprehet se aksioni për rivendosjen e rendit ligjor do të vazhdojë me intensitet, në kuadër të planit për Rilindjen Urbane 2.0, duke e konsideruar këtë si një kthesë të re për mbrojtjen dhe zhvillimin e zonave natyrore të vendit.
“Mirëmëngjes dhe me rivendosjen e rendit ligjor në trupin e mrekullueshëm të Kepit të Rodonit, ku u shkulën të gjitha ngrehinat e ‘tokës së xanun’, dhe ku tanimë forcat e xhenjos po pastrojnë volumet e mëdha të inerteve, si edhe me vullnetin e plotë për ta vazhduar këtë kthesë të re për Rilindjen Urbane 2.0, ju uroj një ditë të mbarë,” shkruan Rama.
Aksioni është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të parandaluar ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura dhe për të ruajtur mjedisin natyror në Shqipëri.