Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj një vendimi të një gjykatësi që ka rikthyer në detyrë një ish-drejtues rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, AMP, i larguar më herët për shkelje të rënda ligjore.

Në një status të gjatë në Facebook, Rama shprehet i revoltuar për atë që e quan “një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër”, që sipas tij, “fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj”.

Në qendër të reagimit është një vendim i gjykatësit Boshku, për të cilin Kryeministri shkruan.

“Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar”.-shkruan Rama

Bëhet fjalë për një ish-drejtor të AMP-së në Vlorë, që sipas Kryeministrit, është përfshirë në një rast ndërtimi pa leje në Ksamil, dhe më pas ka tentuar ta legalizojë duke mashtruar me dokumente, për të cilat Rama thotë.

“Fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020”.-shkruan Rama.

Sipas Ramës, ish-zyrtari jo vetëm që shkelte ligjin ndërkohë që duhej ta zbatonte atë, por rasti i tij u referua në Prokurorinë e Sarandës dhe ai u largua nga detyra. Megjithatë, vendimi i fundit i gjykatës në Tiranë ka anuluar këtë masë, duke e rikthyer në detyrë.

“Ka ligj, ka edhe Maliq, i thonë kësaj,” shkruan Kryeministri, duke theksuar kontrastin mes përpjekjeve të shtetit për ndëshkimin e abuzuesve dhe vendimeve të drejtësisë që sipas tij, i legjitimojnë ato.

Kryeministri paralajmëron masa ndaj gjykatësit që ka dhënë vendimin:

“Ministria e Drejtësisë do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ – ILD)”.-shkruan Rama.

Rama i drejtohet dhe gjyqtarëve të tjerë që, sipas tij, vendosin në mënyrë të njëanshme:

“Pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira”.-shkruan Rama.

Ai mbyll mesazhin e tij me një paralajmërim të drejtpërdrejtë.

“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe në sytë e opinionit publik.”-shkruan Rama.